Shkup, 8 nëntor, NOA – Në ditën e heqjes së murit të vizave për shqiptarët, Partia e Bashkimit Demokratik Shqiptar në Maqedoni i ka dërguar sot një telegram urimi autoriteteve më të larta të vendit, kryetarit të Shtetit, Bamir Topi, Kryeministrit Sali Berisha, Kryetares së Parlamentit, Jozefina Topalli dhe deputetëve të Parlamentit të Shqipërisë.
PBDSH në telegramin e saj shkruan se vendimi i Ministrave të Bashkimit Europian për përfshirjen e Republikës së Shqipërisë në lëvizjen e lirë pa viza drejt vendeve anëtare të zonës Shengen, konfirmon përmbushjen e standardeve demokratike të orientuara në një frymë euro-amerikane të shtetit Shqiptar, një sukses edhe pse është meritë, që u takon qytetarëve të Shqipërisë, me të njëjtin emocion dhe gëzim përjetohet edhe nga qytetarët shqiptarë të Maqedonisë.
Sipas kësaj partie, institucionet shtetërore shqiptare treguan kapacitetin e tyre për të përmbushur të gjitha parakushtet normative dhe teknike, që heqja e regjimit të vizave nga 15 dhjetori i vitit 2010, të bëhet realitet edhe për qytetarët e Shqipërisë.
Në emër të anëtarësisë dhe simpatizantëve të Bashkimit Demokratik Shqiptar, kreu i saj, Bardhyl Mahmuti uron shqiptarët përmes këtij telegrami arritjen historike duke shprehur njëherësh edhe dëshiruar që suksese të tilla të vazhdojnë edhe në të ardhmen, në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian.
Partia e bashkimit demokratik Shqiptar në Maqedoni ka përcjellë edhe një mesazh mbështetës për Kosovën duke theksuar se Kosova ka vullnet dhe kapacitet të përmbushë të gjitha kriteret e nevojshme për heqjen e regjimit të vizave edhe për qytetarët e saj, duke bërë që kështu harta e Evropës të mos ketë më mure vizash për asnjë qytetar evropian.
mit/NOA