English

Qendra Mediatike “Kurajo”: Liberalizimi i vizave nuk është trofe politike

Tiranë, 8 Nëntor, NOA – Qendra Mediatike “Kurajo”, duke përshëndetur vendimin për liberalizimin e vizave, në një deklaratë të saj për shtyp tha se “nëntori i festave do të ketë edhe një datë tjetër historike, pasi shënon arritjen e radhës e të rëndësishme për shqiptarët”.

“Të gjithë do të dalim si europianë, veçanërisht për ata që kanë familjarët dhe paraardhësit prej vitesh në emigracion, studime, apo për vizita dhe kurime në spitale”, citohet në deklaratën e Kurajo-s.

Duke shtuar se gjithsesi, liberalizimi i vizave nuk duhet parë si trofe politike, as nga Europa, e as nga maxhoranca, është një e drejtë e mohuar dhe e paguar me jetë njerëzish të pa fajshëm, si edhe me vlera monetare marramendese.

“Emigrantët, 1 milionë sipas Euro-Stat, e kanë merituar mbijetesën falë punës vetëmohuese, dhe jo marrëveshjeve qeveritare. Politikanë shqiptarë dhe personeli i Trupit Diplomatik janë akuzuar shpesh ne masmedia për trafik vizash ndaj popullit më të dënuar nga regjimi më i egër në Evropë, i larguar në eksode biblike, e sot, ky dëmshpërblim nuk duhet parë si trofe dhe sukses politik. Politika duhet të tregojë maturi dhe të bashkëpunojë për reformat e munguara nga kapriçiot minore të shfaqura në mënyrë të shëmtuar edhe ndaj delegacionit të fundit të Parlamentit Europian në Tiranë, të kryesuar nga Kukan e Doris Pack. Politika duhet të mendojë dhe punojë në favor të së ardhmes, pasi rruga drejt BE është shumë e gjatë”, theksojnë ndër të tjera, drejtuesit e qendrës mediatike “Kurajo”.

Duke e cilësuar më tej ditën e sotme, si një ditë shpërblimi për durimin dhe sakrificat që kanë treguar qytetarët shqiptarë ndaj dhunimit të tyre në pritjet maratonë në dyert e Ambasadave.

“Kjo ditë e gëzuar duhet të kujtohet edhe më një minutë heshtje ndaj viktimave dhe torturave çnjerëzore ndaj të rinjve të ekzekutuar apo burgosur sepse donin një jetë ndryshme, atë që po jetojmë të gjithë neve sot. Qendra Mediatike “Kurajo” përshëndet vendimin për liberalizimin e vizave, duke e vlerësuar dhe cilësuar atë si një arritje të rëndësishme për rritjen e standardeve të jetesës e qytetarëve shqiptarë. Deklarojmë se lëvizja e lirë është një moment që duhet vlerësuar me seriozitet nga shtetasit, për të mos abuzuar me standardet qe kjo lëvizje ofron brenda afateve të përcaktuara në marrëveshje.

Të parët e Europës, e të fundit për lëvizjen e lirë është paradoks dhe jo eufori ndaj këtij procesi ndërkohë që viktimat akoma pa adresë së banesës së fundit nuk janë për t’u harruar, as nga Europa, as nga populli dhe politika e jonë”, përfundon deklarata.

n.e/NOA

KOMENTE