English

Rama: Sot është një ditë e shënuar për qytetarët, lëmë jashtë tam-tamet e politikës

Tiranë, 8 nëntor, NOA – “Kjo ishte një ditë e paralajmëruar....”.

Kështu e ka nisur ligjëratën e tij në përshëndetjen për vendimin e heqjes së vizave, lideri i opozitës Edi Rama.

Kryesocialisti rama në një konferencë të posaçme për shtyp deklaroi se “Vulosja e këtij vendimi jashtëzakonisht të pritur për një kohë shumë të gjatë e bën këtë një ditë shumë të shënuar në të gjitha përpjekjet e këtij vendi për tu bërë pjesë e Evropës dhe më në fund pa viza”.

Por duke e quajtur Evropën, një ëndërr të vjetër shqiptare, kryetari i PS-së, theksoi se sot me shembjen edhe “de jure” të murit të vizave për të gjithë qytetarët, që deri dje e kishin të pamundur ta kapërcenin pragun e Evropës pa një vizë, është padyshim ora për t’u gëzuar e për t’u lënë të gjithëve mundësinë për ta shijuar këtë ditë pa asnjë replikë politike, pasi sipas Ramës për polemika e replika ka ditë të tjera, që ai siguroi se nuk do të mungojnë në hapësirën shqiptare edhe pas lajmit të shumëpritur të lëvizjes së lirë.

Rama kujtoi në ligjëratën e tij të gjithë ata që lanë jetën në telat me gjemba, me dëshirën për të kapërcyer kufirin.

Rama risolli në vëmendje edhe ato familje të cilat vuajtën kaluarin e gjatë të persekutimit të pashembullt nëpër kampeburgjet komuniste, vetëm pse një person i familjes u ishte arratisur në kërkim të lirisë.

Kryesocialisti tha se kjo ditë e shënuar për shqiptarët vlen të kujtojë edhe ato jetë njerëzish që në rrugëtimin për një jetë më të mirë drejt Evropës, për të gjetur një shpresë për të dalë nga varfëria, mbetën në ujërat e Otrantos gjatë viteve të tranzicionit.

Sipas Ramës, ëndrra që shqiptarët realizuan sot është edhe shpjegim i të gjitha sakrificave të atyre që mbajtën për vite të tëra rradhë nëpër ambasada për t’u takuar me pjesën tjetër të familjes.

“Janë të gjitha këto sakrifica dhe këto përpjekje të pashpjegueshme, që e bëjnë gëzimin e shqiptarëve edhe më të madh. Ky gëzim i sotëm është legjitim që të gjithë shqipëtarët të ndihen të çliruar”, tha Rama.

Ai lëshoi një apel të përsëritur kur kërkoi të shembet muri i vizave edhe për pjesën tjetër të kombit, Kosovën, që sot si për paradoks është kthyer si në një unazë, që rrethon Kosovën, një mur qësikundër tha shefi i opozitës, është e domosdoshme të shembet për ta bërë tërë këtë mozaik pa viza të njësuar.

Rama bëri thirrje që në këtë ditë shënuar politika të bëjë një hap prapa, për të lënë qytetarët ta shijojnë këtë ditë pa tam-tamet e politikës, për të lënë pas rrahjen e gjokseve.

Duke e cilësuar një projekt evropian, Rama theksoi se gjatë këtyre viteve gjithkush në politikën shqiptare ka bërë sa ka mundur në këto vite dhe askush nuk duhet ta monopolizojë këtë proces, pasi sipas tij, nuk do të ishte evropiane që këtë ta kemi sot mes nesh.

“Ka ditë të tjera për të bërë bilance dhe për të bërë ekspozimin e një sërë problemesh, që për ne janë një sfidë për të qenë pjesë e Evropës, jo vetëm si qytetarë, por edhe për të qenë si anëtarë në tryezën e saj, përmes rrugës së bashkëpunimit në tryezën e BE-së”, cilësoi Rama.

Më tej shefi i selisë rozë shprehu mirënjohjen e tij për këtë vendim të rëndësishëm për shqiptarët duke thënë se “Unë u shpreh konsideratën dhe falenderimin më entuziast të gjithë miqve dhe partnerëve, që mundësuan finalizimin e kësaj përpjekjeje 20 vjeçare dhe fundin e këtij rrugëtimi me kaq shumë sakrifica për popullin shqiptar dhe për arsyen që të lëvizë i lirë në Evropë, në Evropën që e mbajti larg saj një histori aspak bujare, një regjim që edhe sot e kësaj dite na dëshmon se ende s’jemi njëlloj si Evropa”, tha kryesocialisti Edi Rama.

mit/NOA
KOMENTE