Tiranë, 8 Nëntor, NOA – “Më 28 Nëntor 1912, shqiptarët fituan pavarësinë. Më 8 dhjetor 1990, shqiptarët fituan mbi komunizmin ndërsa sot shqiptarët fituan lëvizjen pa viza, një dimension themelor i të drejtave të njeriut”.
Kështu u shpreh kryeparlamentarja Topalli mbi vendimin për liberalizimin e vizave të marrë nga Bashkimi Evropian për Shqipërinë, duke shtuar se sot shqiptarët kanë fituar lirinë për të lëvizur në zonën Shengen, një fitore kjo e një dimensioni themelor të lirisë.
Sot ne kemi fituar mbi sfidat e vështira, që ne duhet të përmbushnim.
“Sot është dita më e gëzueshme në çdo familje shqiptare. Sot kemi fituar më shumë dinjitet. Çdo nënë, çdo prind, me vendimin e sotëm kanë mundësi, pa ju lutur askujt, të takojnë fëmijët e tyre, mbesat dhe nipërit e tyre. Sot është një ditë historike për popullin tonë. Dita më e veçantë pas krijimit të shtetit shqiptar dhe rrëzimit të komunizmit”, citoi ajo.
Duke shtuar se kjo liri ka ardhur për shkak të një përkushtimi të madh, të një pune titanike që kemi realizuar gjatë këtyre viteve.
“Vendimi unanim i sotëm, ashtu si vendimi i Parlamentit Evropian me 7 tetor, ishte njohja e progresit të Shqipërisë, përmes reformave të vështira e të guximshme të ndërmarra nga qeveria, Kuvendi, si edhe punës të të gjithë shqiptarëve, ishte njohje e luftës kundër krimit e korrupsionit, ishte njohje e sigurisë së Shqipërisë. Sot ka fituar shpirti i lirë shqiptar, besimi në vlerat evropiane. Jam e sigurt se këtë liri të lëvizjes, shqiptarët do ta shoqërojnë me përgjegjësinë ndaj asaj që sjell liria”, shtoi ajo.
n.e/NOA