Bruksel, 8 nëntor, NOA – Bashkimi Evropian sapo ka miratuar vendimin historik për Shqipërinë, mbi liberalizimin e vizave me regjimin e vendeve Shengen.
Në këtë mënyrë, Këshilli i Ministrave të Drejtësisë dhe Ministrave të Brendshëm të Bashkimit Evropian i hapi dritën jeshile heqjes së vizave për qytetarët e Shqipërisë dhe Bosnjë-Hercegovinës drejt vendeve të zonës Shengen, duke rrëzuar njëherë e mirë murin që na ndante me vendet e tjera evropiane prej dekadash.
Ky vendim, duhet të botohet më së pari në Fletoren Zyrtare të Bashkimit Evropian dhe më pas, në muajin dhjetor do të bëhet edhe realitet realizimi i saj në mënyrë konkrete, duke i lejuar të gjithë shqiptarët dhe boshnjakët që disponojnë një pasaportë biometrike të lëvizin lirisht në Evropë.
Shqipëria dhe Bosnjë-Hercegovina, tashmë janë dy vendet e vetme në rajonin e Ballkanit Perëndimor që ende nuk kanë përfituar nga liberalizimi i vizave.
Mbledhja e cila nisi rreth orës 11.00 të ditës së sotme, mbajti drejt saj ndjeshmërinë e gjithë Shqipërisë, diskutoi gjatë saj draftin e Komisionit Europian i cili propozon zhvendosjen e këtyre dy vendeve të rajonit në hapësirën ku qytetarët nuk kanë nevojë për vizë, por vetëm për një pasaportë biometrike. Sipas kushteve konkrete të përcaktuara në rregullat e lëvizjes së lirë, parashikohet që liria me vizat do të jetë vetëm për 3 muaj dhe pas kësaj, të gjithë ata që do të shkelin rregullat, do t’iu duhet të kthehen mbrapsht dhe për 5 vjet ta kenë të hequr mundësinë për të udhëtuar drejt vendeve të Bashkimit Evropian.
Ndërkaq, festimet për këtë ditë të shumëpritur për shqiptarët kudo që ndodhen, do janë parashikuar që të zhvillohen të martën në mbrëmje në sheshin “Nënë Tereza”... (vijon)
n.e/NOA