English

Barazia gjinore, politika ta marrë seriozisht

Tani që zgjedhjet vendore të majit 2011 po afrojnë dhe janë vetëm 26 javë larg, kemi një mundësi të shkëlqyer për të parë nëse klasa politike shqiptare e ka vërtet seriozisht adresimin e çështjes së pabarazisë gjinore. Le të jemi edhe një herë të qartë – përqindja e këshilltareve të zgjedhura në këshillat bashkiakë dhe komunalë duhet të rritet nga baza e ulët aktuale prej 10%.

Nga Eugen Wollfarth*

Në përvjetorin e 10-të të Rezolutës 1325 të Kombeve të Bashkuara për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, kam kënaqësinë e madhe t'ju uroj mirëseardhjen në këtë konferencë mbi pjesëmarrjen e grave në jetën publike dhe politike, e cila është organizuar nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Mundësive të Barabarta dhe nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri.

Do të doja, gjithashtu, t'u uroja mirëseardhjen gjithë grave drejtuese nga rajoni që kanë gjetur kohën për të qenë me ne sot.

Zonja Kryetare, zonja dhe zotërinj, konferenca që do të mbahet këto dy ditë sjell së bashku gra nga rajoni i Evropës Juglindore për të diskutuar në kuadrin kombëtar dhe rajonal, çështjet e barazisë gjinore në jetën dhe sigurinë publike e politike.

Kjo konferencë do të fokusohet te nxitja e barazisë gjinore, zbatimi i strategjive kombëtare të barazisë gjinore, Rezoluta 1325 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe mësimet e nxjerra.

Konferenca kombëtare për përballjen me sterotipet gjinore, e cila u organizua në muajin qershor në Tiranë nxori në pah angazhimin e qartë dhe të padyshimtë të Kryeministrit Berisha dhe Kryetares së Kuvendit në mbështetjen e pjesëmarrjes së plotë dhe aktive të grave në jetën publike dhe politike. Le të jemi të qartë – një barazi më e madhe mes burrave dhe grave është jetësore për arritjen e sigurisë, prosperitetit dhe standardeve të plota demokratike, dhe kështu, edhe për sigurinë dhe stabilitetin në zonën e OSBE-së.

OSBE-ja gjithmonë e ka parë nxitjen e barazisë gjinore si një përparësi të dorës së parë; duke filluar me miratimin e Aktit Final të Helsinkit, kur shtetet pjesëmarrëse u zotuan se do të respektonin të drejtat e njeriut dhe liritë themelore për të gjithë pa asnjë dallim përkatësie gjinore. Në vitin 2005, OSBE-ja miratoi zyrtarisht Planin e Veprimit për Nxitjen e Barazisë Gjinore, i cili promovon të drejtat, interesat dhe çështjet e grave në fusha ku pabarazia dhe diskriminimi mbizotërojnë më shumë.

Roli i ekzekutivit, legjislativit dhe shoqërisë civile në integrimin gjinor në politika dhe në zbatimin e legjislacionit të barazisë gjinore është qartazi shumë i rëndësishëm.

Edhe partitë politike kanë rolin e tyre në krijimin dhe ruajtjen e një mjedisi të favorshëm, në të cilin mund të garantohet një përfaqësim politik më i drejtë i grave në institucionet përfaqësuese. Përfaqësimi i barabartë i grave dhe burrave në politikë përbën një parametër kyç të çdo demokracie moderne.

Tani që zgjedhjet vendore të majit 2011 po afrojnë dhe janë vetëm 26 javë larg, kemi një mundësi të shkëlqyer për të parë nëse klasa politike shqiptare e ka vërtet seriozisht adresimin e çështjes së pabarazisë gjinore. Le të jemi edhe një herë të qartë – përqindja e këshilltareve të zgjedhura në këshillat bashkiakë dhe komunalë duhet të rritet nga baza e ulët aktuale prej 10%.

Duhet të na ndihmojë fakti që tashmë kemi një Kod Zgjedhor që parashikon që një ndër tre kandidatë në listat e zgjedhësve të paraqitura nga partitë politike të jetë grua. Megjithatë, të gjitha partitë politike duhet që t'i përmbahen tashmë këtij parashikimi ligjor. Angazhimet e forta dhe të vendosura të bëra publikisht deri tani nga të gjitha palët politike janë, sigurisht, një shenjë inkurajuese. E megjithatë, ajo çka presim tashmë të shohim është që e gjithë madhështia e vendosmërisë së tyre të përkthehet në vepra po aq të mëdha konkrete dhe të pandryshueshme. Duhet të bëhen veçanërisht përpjekje për të garantuar ndërmarrjen e sanksioneve më të rrepta ndaj çdo shkeljeje të kuotës gjinore.

Fakti që Kodi aktual lejon gjobitjen e partive politike në një vlerë të pakonsiderueshme prej 300 dollarësh për shkelje të kësaj natyre është sinqerisht i papranueshëm, jashtë kohe dhe i papërshtatshëm për një vend që pretendon se është serioz rreth barazisë gjinore në vitin 2010.

Gjithashtu, fakti që nuk do të ketë një deçertifikim të të gjitha listave të zgjedhjeve në rast shkeljesh, siç ishte në vitin 2009, tregon se nëse nuk bëhen tani disa ndryshime, reduktimi i 'defiçitit gjinor' thjesht nuk ka për të ndodhur. Këto zgjedhje të qeverisë vendore do t'i japin mundësi edhe publikut shqiptar që të shohë se sa do të jetë pjesëmarrja e votueseve gra dhe se sa mundësi do të kenë ato që të votojnë në mënyrë individuale dhe të fshehtë, duke eliminuar kështu praktikën e kundërshtueshme të votimit familjar. Nëse jemi të gjithë seriozë rreth aspiratave integruese të këtij vendi, thjesht justifikimi i kësaj sjelljeje duke e paraqitur si pjesë të 'kulturës shqiptare' nuk ka për të qenë më i mjaftueshëm. E mbështetur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, klasa politike shqiptare, duhet të qëndrojë e vendosur dhe t'i ndëshkojë ashpër të gjitha këto praktika.

Ka ardhur momenti të bëjmë diçka, të bëjmë një ndryshim – jo thjesht për të çuar përpara ambiciet tona integruese, megjithëse edhe kjo është e drejtë, por se ndryshimi është thjesht ajo që duhet bërë.

Konferenca e sotme është pjesë e një projekti të financuar nga Ambasada e Holandës dhe nga Agjencia Ndërkombëtare Suedeze për Zhvillim dhe zbatuar nga Prezenca e OSBE-së me titull ‘Rritja e rolit të grave në qeverisje’. Dëshiroj t'i falënderoj publikisht të dy këto misione jo vetëm për mbështetjen e tyre financiare, por edhe për nxitjen e tyre tematike të këtij projekti. Aktivitetet e projektit përfshijnë disa forume rajonale, të cilat kanë rezultuar në krijimin e Platformës Kombëtare për Gratë, e cila do të paraqesë këtu planin e saj të veprimit, disa emisione televizive të prodhuara dhe të transmetuara në të gjitha stacionet televizive rajonale, seminare, dhe veprimtari si kjo konferencë duke i nxitur gratë që të marrin përsipër përgjegjësi më të mëdha politike.

Së fundmi, do të doja ta mbyllja me një shprehje të një ish burri të madh shteti, që besoj se e përcakton më së miri qëllimin tonë thelbësor të arritjes së një barazie më të madhe gjinore në Shqipëri. Ai ka thënë: “Imagjinata, iniciativa dhe indinjimi juaj do të përcaktojnë nëse po ndërtojmë një shoqëri, ku progresi është shërbëtor i nevojave tona, apo një shoqëri, ku vlerat e vjetra dhe vizionet e reja varrosen nën një rritje të shfrenuar”.

* Fjalimi i ambasadorit të OSBE, Wollfarth në konferencën për rritjen e pjesëmarrjes së grave në jetën publike dhe politike

KOMENTE