Bruksel, 9 nëntor, NOA – Ndërsa ditën e djeshme Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian vendosi për liberalizimin e vizave me Shqipërinë, sot sërish në Bruksel pritet ë të merret një tjetër vendim i rëndësishëm për integrimin e vendit tonë në BE, ai për statusin e anëtarit me të drejta të plota në strukturat e tij.
Kështu, siç bëhet me dijeni për agjencinë e Lajmeve NOA, gjatë orës 16.00, në Bruksel pritet që komisioneri për Zgjerimin e BE, Stefan Fyle, të publikojë opinionin që struktura e drejtuar prej tij ka përgatitur për Shqipërinë dhe përgjigjen ndaj kërkesës së dorëzuar në prill të 2009 për statusin e vendit kandidat.
Në një nga vlerësimet paraprake për statusin, mësohet se thuhet që “anëtarësimi do të mund të realizohet sa më shpejt kur vendi të jetë i gatshëm t’u përgjigjet detyrimeve të tij, duke përmbushur kushtet politike dhe ekonomike të kërkuara”.
Anëtarësimi, sipas kritereve të Kopenhagenit, kërkon që shteti kandidat të përmbushë stabilitetin e institucioneve duke garantuar demokracinë, shtetin ligjor, të drejtat e njeriut si dhe respektimin dhe mbrojtjen e pakicave.
Ndërkaq, raporti i vlerësimit dhe opinioni i komisionit do t’i dorëzohen në Tiranë kryeministrit Sali Berisha nga drejtori i drejtorisë së Zgjerimit, Pierre Mirel, po ditën e sotme.
n.e/NOA