Deklarata e plotë e Komisionerit për Zgjerimin Fyle për Shqipërinë dhe rajonin
Ja Paketa e Zgjerimit 2010
Opinioni i plote per Shqiperine
Fule: Cfare duhet te beje Shqiperi
Bruksel, 9 Nëntor 2010 NOA – Komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Evropian Shtefën Fyle doli në një konferencë për shtyp ku foli për shqyrtimin e kërkesës së Shqipërisë dhe Malit të Zi për t’u pranuar kërkesa e tyre që të fitojnë statusin e vendit kandidat për anëtar i Bashkimit Evropian.
Kërkesa e Shqipërisë nuk është pranuar kurse nga sot Mali i Zi është vend kandidat për anëtar i BE.
“Shqipëria dhe Mali i Zi duhet të plotësojnë kriteret e përcaktuara nga Kopenhageni, veçanërisht kriteret politike”, - tha Fyle.“I bëjmë thirrje Shqipërisë që të vazhdojë progresin që ka arritur deri tani”, - tha Fyle.
Kurse veçoi dy momente të rëndësishme siç tha: “Pas vendimit që morëm për Shqipërinë, pra liberalizimin e vizave, pas paketës së re të zgjerimit duhet të zbatohen kriteret kyçe për të arritur më pas hapjen e negociatave për marrjen e statusit kandidat për vend anëtar të BE.
Si opozita si qeveria, të dyja palët duhet të dalin mbi interesat e tyre, - ishte këshilla e Fyle duke kërkuar më tej që “të mos qëndrojnë në vend”.
Në përfundim të argumentit për Shqipërinë, Fyle siguroi se “vitin tjetër ju patjetër do të prisni një vendim për zgjerimin”.
Sa i përket Malit të Zi, Fyle tha se Komisioni Evropian rekomandon dhënien e statusit të vendit kandidat, kurse shtoi se “negociatat duhet të hapen pasi vendi të ketë stabilitet politik që garanton respektimin e ligjit”.
Sakaq, Serbia së shpejti do të marrë pyetësorin e BE për të aplikuar si vend kandidat, por një vendim do të merret më konkretisht në gjashtëmujorin e parë të vitit 2011.
Fyle tha se Serbia duhet të tregojë një qëndrim më bashkëpunues sa i përket Kosovës dhe duhet të bashkëpunojë dhe me Tribunalin e Hagës për dorëzimin e kriminelëve të luftës.
Sa i përket Kroacisë, Fyle tha se opinioni final për të do të jetë në tre muajt e parë të vitit të ardhshëm.
Kurse për Turqinë, Fyle tha se “është urgjente që Turqia të normalizojë marrëdhëniet me Qipron, në mënyrë që vendi të përparojë në negociatat për anëtarësim”.
Sa i përket Islandës që bëri kërkesën më 2009 dhe iu hapën negociatat më 2010, Fyle tha se nga autoritetet e Islandës duhen bërë më shumë përpjekje që qytetarët atje të kuptojnë çdo të thotë anëtarësim në BE.
Në lidhje me ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, Fyle tha se që të nisin negociatat, duhet të ketë një vendim unanim nga të gjitha vendet e BE, duke e theksuar dhe një herë çështjen e emrit të këtij shteti si të rëndësishme për t’u zgjidhur me Greqinë.
Në fund, Fyle u ndal te Republika e Kosovës: “Procesi i decentralizimit në Kosovë ka ecur me ritme sinjifikative, por mbeten ende të pranishme sfida të mëdha politike. Autoritetet duhet të sigurojnë prani më të madhe në konferenca dhe takime rajonale e më gjerë”, - deklaroi Fyle.
Ai siguroi se Komisioni Evropian është i angazhuar që të nisë dialogun për liberalizimin e vizave me Kosovën.
e.r/NOA