English

Berisha: Aksidenti, shtyhen për 48 orë aktivitetet festive të parashikuara për vizat

Tiranë, 9 nëntor, NOA/ Eglantina Nasi (Më poshtë dhe përmbledhje e ngjarjes) – Aksidenti i rëndë rrugor i ndodhur në orët e mbrëmjes së djeshme në aksin Fier-Ballsh, e ka detyruar qeverinë që të ndërpresë të gjitha aktivitetet festive të parashikuara për festimin e vendimit mbi liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian.

Një fakt të tillë e ka komunikuar publikisht sot vetë kryetari i qeverisë, Sali Berisha, i cili në një prononcim për mediat ka deklaruar se qeveria ndërpret për harkun kohor të 48 orëve të gjitha festimet e planifikuara për vizat, në nderim të viktimave dhe të lënduarve të aksidentit fatal, i cili mori plot 9 jetë njerëzish dhe lëndoi 41 të tjerë.

Ndërkaq, ai tha se koncerti i madh festiv i parashikuar për heqjen e vizave, do të zhvillohet pasditen e së premtes, në sheshin “Nënë Tereza”.

E nga ana tjetër, Berisha tha se qeveria do të ndërmarrë përsipër shpenzimet e të gjitha varrimeve të viktimave që humbën jetën në aksidentin e rën dë të mbrëmjes së djeshme në aksin Fier-Ballsh, me një autobus të linjës Tiranë-Athinë.

Deklarata e plotë e Berishës

“Mbrëmë në aksin rrugor Ballsh- Tepelenë, komunën Fratar, në autobusin e linjës Tiranë- Athinë kanë humbur jetën 9 qytetarë shqiptarë dhe janë plagosur rreth 38 të tjerë,nga të cilët njëri është rëndë.

Për të ndihmuar të aksidentuarit kanë shkuar në vendngjarje forca të shumta policie, ekipe shëndetësore sikundër janë angazhuar me një përkushtim shumë të madh qytetarë të komunës së Fratarit. Të plagosurit janë transportuar në spitalet Gjirokastër, Tepelenë, Fier dhe Tiranë ku u është dhënë ndihma e shpejtë. Deri tani janë në tërësi jashtë rrezikut për jetën. Njëri nga të plagosurit është nisur për në Janinë, në gjendje serioze shëndetësore.

Për të shprehur solidaritetin me zinë që ka pllakosur familjet e viktimave vendosëm të ndërpresim të gjitha aktivitetet festive të përcaktuara për ditën e sotme dhe të nesërme. Qeveria merr përsipër shpenzimet e varrimit të viktimave të këtij aksidenti, duke ju shprehur familjarëve të tyre ngushëllimet më të sinqerta.

Protokolli i shtetit do të planifikojë ngushëllime nga zyrtarë të lartë në familjet e viktimave. Aktivitetet shtyhen për 48 orë, kurse koncerti festiv i parashikuar për sot shtyhet për ditën e premte pasdite”.

n.e/NOA

Lexoni gjithcka mbi ngjarjen tragjikeSHIKONI TE GJITHA FOTOT TE GALERIA
KOMENTE