Tiranë, 9 nëntor, NOA – Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto priti sot në takim kryeparlamentarin e Mbretërisë së Arabisë Saudite, Sheikh Abullah bin Muhammed Al Sheikh.
Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan marrëdhëniet e mira të bashkëpunimit midis dy vendeve dhe shprehën vullnetin për forcimin e tyre në planin dypalësh dhe në kuadër të organizatave ndërkombëtare.
Gjithashtu, ata theksuan rëndësinë e plotësimit të kuadrit ligjor të bashkëpunimit me disa marrëveshje që janë në proces, si në fushën ekonomike dhe tregtare, mbrojtjes dhe nxitjes së investimeve, kulturore etj.
Haxhinasto nënvizoi ndër të tjera nevojën e rritjes së bashkëpunimit ekonomik dhe shprehu dëshirën e qeverisë shqiptare për të thelluar bashkëpunimin me qeverinë saudite në realizimin projekteve të ndryshme, kryesisht në fushën e infrastrukturës, transportit ajror, turizmit, etj.
Më tej, ai vlerësoi kontributin e Arabisë Saudite në njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe mbështetjen e kësaj çështjeje në kuadër të organizatave ndërkombëtare.
Ndërsa kryetari i Parlamentit të Mbretërisë së Arabisë Saudite shprehu vullnetin e qeverisë së tij për konsolidimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis dy vendeve, jo vetëm në fushën politike, por në të gjitha fushat me interes reciprok.
n.e/NOA