English

Heqja e vizave, Gjirokastër: Shtohen sportelet në dalje dhe masat në kufi

Gjirokastër, 9 nëntor, NOA – Drejtoria Rajonale për Kufirin dhe Migracionin në Gjirokastër ka marrë një sërë masash për të përballuar fluksin e lëvizjes në kuadër të liberalizimit të vizave.

Drejtori i Drejtorisë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin, Eduart Caka ka theksuar se Drejtoria Rajonale për Kufirin dhe Migracionin në Gjirokastër disponon të gjitha kapacitetet si në burimet njerëzore ashtu dhe në infrastrukturë për të përballuar fluksin e lëvizjes së qytetarëve në drejtim të hapsirës Shengen.

Në këtë kuadër është hartuar një plan masash i detajuar, që përcakton se në Pikën e Kalimit Kufitar Kakavijë, si pika më e madhe kufitare tokësore në vend, për të shmangur radhët e gjata si dhe eleminuar orët e pritjes, do të shtohen sportelet në dalje, si dhe do të funksionojnë 15 sportele në 24 orë, ndërsa në rast se do ketë më shumë fluks do ketë edhe 3 sportele të tjera shtesë.

Po kështu falë mjeteve logjistike moderne, policia kufitare është pajisur kohët e fundit edhe me skanerin për leximin në kohë reale të pasaportave biometrike që do të bëjë që përpunimi i dokumentacionit të bëhet shumë më shpejt duke mos krijuar pengesa.

Një sërë masash janë marrë edhe në kufirin e gjelbër për të goditur trafiqet e paligjshme të drogës, të mjeteve motorike.

Caka bëri të ditur se prioritet për Policinë Kufitare është edhe kontrolli sa më i rreptë i kufirit jeshil për të goditur personat me precedent kriminal apo të shpallur në kërkim, si dhe të atyre që kanë precedent penal në vendet e hapësirës Shengen.

mit/NOA
KOMENTE