English

Idrizi: Koha tashmë punon për shqiptarët

Durrës, 9 nëntor, NOA - Partia Drejtësi dhe Unitet zhvilloi dje një takim me qindra simpatizantë të vetë në qytetin e Durrësit, ku kryetari i saj Shpëtim Idrizi përshëndeti përpara të pranishmëve vendimin për liberalizimin e vizave me Shqipërinë.

Sipas tij, ky vendim është realizimi i objektivave të rilindësve shqiptarë. Ai theksoi se pas Pavarësisë së Kosovës, anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe liberalizimi i vizave tregon se koha tashmë punon për shqiptarët.

“Rilindësit tanë kanë shkruar se për shqiptarët dielli lind nga perëndimi. Dhe kjo është e vërtetë miqtë e mi. Liberalizimi i vizave është një arritje për të gjithë shqiptarët. Ne sot jemi një hap më afër realizimit të objektivave tona. Kohët e fundit kombi shqiptar po përjeton momente historike, që prej Pavarësisë së Kosovës, anëtarësimit të Shqipërisë në Nato dhe së fundmi liberalizimin e vizave. Sot, koha punon për shqiptarët. Partia Drejtësi dhe Unitet do të vijojë që të votojë në Kuvend por çdo vendimi, nisme dhe ligji që sjell Shqipërinë më afër Evropës”, tha Idrizi.

Më tej, kreu i PDU-së parashtroi tek të pranishmit objektivat e Partisë Drejtësi dhe Unitet, si edhe pikat kryesore programore të saj.

“PDU do të vijojë të bashkëpunojë me të gjitha forcat politike të Kosovës, për të afirmuar pavarësinë e saj. PDU do të vijojë të bashkëpunojë me të gjitha forcat politike shqiptare në Maqedoni, Mal të Zi dhe Luginën e Preshevës për të rritur statusin e shqiptarëve në këto vende. PDU do të intensifikojë përpjekjet për të ruajtur trashëgiminë kulturore, në mënyrë që atë që na trashëguan të parët, kulturën tonë, identitetin tonë ne t’ua transmetojmë të pacenuar dhe të pasuruar pasardhësve tanë. Unifikimi i gjuhës shqipe zë një peshë edhe më të madhe në programin tonë dhe pa dyshim ne do të luftojmë për zgjidhjen e çështjes çame”, u shpreh ai.

n.e/NOA

KOMENTE