English

KMK, Pesha: Bashkia të marrë masa për ofrimin e transportit falas

Tiranë, 9 nëntor, NOA – Pas daljes nga qarkullimi të aboneve në fillim të muajit nëntor një veprim ky i ndërmarrë nga Shoqata e Transportit Publik, Kryetari i Komisionit për Mbrojtjen e Konsumatorit, Besjan Pesha ka bërë përgjegjës për këtë situatë Bashkinë e Tiranës dhe operatorët e transportit që punojnë për llogari të saj, për anulimin e aboneve duke i kërkuar asaj të marrë masat për mospërsëritjen e shkeljeve të tilla.

Sipas Peshës, Bashkia e Tiranës, duhet të marrë masa që t’u ofrojë shërbimin e udhëtimit falas dhe biletën e pajtimit mujor, si dhe për përcaktimin e skemës së kompesimit të konsumatorëve të dëmtuar për ditët e shërbimit të munguar si dhe të ndalojë shkeljen mbi mungesën e informimit të konsumatorëve, në lidhje me kushtet e ofrimit të këtij shërbimi sipas pagesës

Bashkisë së Tiranës i është kërkuar gjithashtu të marrë masat për ndreqjen e shkeljes, nëpërmjet vendosjes së të dhënave të shërbimit të transportit qytetas në pikat e ndalesave të autobusëve, si dhe publikimit të tyre në faqen zyrtare të Bashkisë së Tiranës apo edhe në fletëpalosje.

Këto kërkesa janë bërë nga KMK në vijim të transparencës së komisionit mbi vendimin e marrë për çështjen e anulimit disaditor të shërbimit të transportit falas dhe të shërbimit të pajtimit mujor ndaj qytetarëve të Tiranës nga ana e operatorëve, që operojnë në këtë treg për llogari të Subjektit Bashkia e Tiranës.

Komisioni u bazua në ankesat e disa qytetarëve, si edhe në denoncimin masiv, që media e shkruar dhe vizive i bëri kësaj çështjeje.

n.e/NOA

KOMENTE