English

Kukan: Shqipëria kërkon integrimin, por protestat nuk ndihmojnë

Bruksel, 9 Nëntor 2010 - Kryetari i PE për Ballkanin Perëndimor, Eduard Kukan pohon se në rrugën e integrimit të Shqipërisë, protestat e paralajmëruara nga opozita, nuk ndihmojnë aspak.

“Cilido qoftë rezultati i raportit të Komisionit Europian, pozitiv apo do ta shtyjë statusin e vendit kandidat për anëtarësim, rruga e Shqipërisë drejt BE do të vazhdojë. Partitë politike duhet ta konsiderojnë si një apel, si një sfidë për të dyfishuar përpjekjet e tyre për të dalë nga kriza politike përndryshe do të jetë shumë e vështirë që kriza të mos ndikojë në situatën e përgjithshme politike të Shqipërisë", shpjegon Kukan i cituar nga radio Dojçe Vele seksioni shqip.

Ai nuk e konsideron rifillimin e protestave, të paralajmëruara nga opozita, si një mënyrë që ndihmon zgjidhjen e krizës.

“Parlamenti është vendi për të diskutuar çështjet politike, vendi ku duhet të zhvillohet lufta politike. Grevat e urisë dhe protestat në rrugë nuk janë të dobishme”, thekson ai.

Kurse shton: “Jam i sigurt se do të ketë shumë përgjigje pozitive, pasi Shqipëria ka shënuar arritje në kryerjen e reformave. Por Shqipëria duhet të vazhdojë reformat. Shumë e rëndësishme për Këshillin Europian është çështja e stabilitetit në funksionimin e institucioneve të zgjedhura në mënyrë demokratike, në rastin konkret në funksionimin e plotë të Parlamentit”, deklaron Kreu i PE për Ballkanin Perëndimor, Eduart Kukan.

Pohimi i z.Kukan u bë pak orë para se Komisioni Europian të publikonte variantin zyrtar të vlerësimit të progresit demokratik të Shqipërisë, të kërkuar nga Këshili Europian, si bazë për të marrë vendimin.

Pikërisht në këtë pikë përqendrohet gjithë mangësia e Shqipërisë. Kriza nisi menjëherë pas zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit 2009 dhe vazhdon edhe sot e kësaj dite. Për shkak të saj nuk është i mundur miratimi i ligjeve, që kërkojnë shumicë të cilësuar ose kushtetuese, pasi opozita kërkon në këmbim të votës së saj, transparencën e pakushtëzuar të zgjedhjeve të qershorit 2009. Kjo situatë ka krijuar shqetësim tek Parlamenti Europian dhe Komisioni Europian, pasi stabiliteti i institucioneve ka të bëjë me përmbushjen e kriterit politik të Kopenhagës, të vendosur në vitin 1993 nga Këshilli i Ministrave të BE.

“Nuk ka shenja se kriza politike do të zgjidhet së shpejti. Por kjo situatë, nëse vazhdon do të dëmtojë ambiciet e Shqipërisë për integrimin europian”, thotë Eduard Kukan.

Ai pranon se të gjitha përpjekjet e Komisionit dhe Parlamentit Europian për të bindur qeverinë dhe opozitën të arrijnë në një kompromis për transparencën e zgjedhjeve të kaluara parlamentare dhe kapërcyer krizën, kanë dështuar.

KOMENTE