Bruksel, 9 nëntor, NOA – Ndërsa Komisioni Evropian ka dhënë opinion pozitiv për marrjen e statusit kandidat nga Mali i Zi, për Shqipërinë duket se ky opinion do të jetë jo në favor.
Këtë gjë e bënë të ditur edhe javën e shkuar eurodeputetët që vizituan Shqipërinë.
Pikërisht pas mosarritjes së një marrëveshjeje mes mazhorancës dhe opozitës për zgjidhjen e krizës politike, në bazë të një propozimi të bërë nga eurodeputetja Doris Pack, ishte kreu i delegacionit të eurodeputetëve Eduard Kukan i cili deklaroi se kjo ishte një mesazh shumë i keq për Evropën.
Raporti 120 faqësh për Shqipërinë pas publikimit të tij nga komisionari Stefan Fule do t’i dorëzohet edhe kryeministrit Sali Berisha sonte në mbrëmje.
Ky raport përmban kritika të forta për moszgjidhjen e ngërçit të tejzgjatur politik që ka sjellë mosfunksionim të demokracisë në vend duke mos garantuar stabilitetin e institucioneve shtetërore, një kusht ky i rëndësishëm i shënuar edhe në marrëveshjen e Kopenhagenit që i nevojitet një vendi për tu bërë kandidat për anëtarësim në BE.
Sipas eurodeputetëve edhe zgjedhjet nuk plotësuan standardet më të larta të kërkuara.
Sipas kritereve të Kopenhagenit katër janë shtyllat kryesore për t'u anëtarësuar stabiliteti i institucioneve si një garanci për demokracinë, respektimi dhe forcimi i shtetit ligjor, mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe respektimi i të drejtave të minoriteteve.
Opinionin pritet ta japë vetë komisionari Stefan Fule në një konferencë për shtyp.
Aplikimi i Shqipërisë për anëtarësim në BE u dorëzua në 28 prill të vitit 2009. Vijon...
mit/NOA