English

Rritet numri i të vdekurve të aksidentit tragjik, emrat e viktimave në autobusin e ALBTrans

Tiranë, 9 Nëntor 2010 NOA Update - Aksidenti fatal i autobusit Tiranë-Athinë, pati për viktima nëntë të vdekur dhe 41 të plagosur ku katër janë në gjendje kritike për jetën dhe 36 të plagosur ndodhen në gjendje më pak të rëndë.

Konfirmimi vjen nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit e cila tha për agjencinë NOA se kanë humbur jetën 9 persona:

“Nga të dhënat e deritanishme rezulton se në aksidentin e rëndë ndodhur në aksin nacional Fier-Tepelenë, kanë humbur jetën 9 shtetas, nga të cilët 8 janë identifikuar, përkatësisht:

1. Fredi Guma, vjeç 45, nga Frakull i Vogël, Lushnjë,

2. Manushaqe Bali, vjeç 33, nga Lushnja

3. Refotaq Bashllari, nga Tirana

4. Dhurata Halilaj, vjeç 45, nga Laçi,

5. Marjola Guma, vjeç 13, nga Fieri,

6. Nikollë Nina, vjeç 75, nga Durrësi

7. Dallëndyshe Shuli, nga Lushnja

8. Afërdita Basha vjeç 40, nga Laçi

Sakaq, 4 persona janë dëmtuar dhe ndodhen në spital në gjendje të rëndë, ndërkohë që 36 pasagjerët e tjerë janë jashtë rrezikut për jetën dhe po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore pranë ambienteve spitalore:

“Për të marrë ndihmë më të specializuar mjekësore janë dërguar në drejtim të Spitalit të Janinës dy shtetas, gjendja e të cilëve paraqitej më rëndë, përkatësisht:

1. Eduard Prenci, vjeç 29, nga Lushnja,

2. Petro Vangjeli, vjeç 61, Sarandë,

Po ashtu janë transportuar në Spitalin Ushtarak në Tiranë dhe gjenden nën kujdesin e mjekëve shtetasit:

1. Sebie Boksiu, vjeç 30,

2. Luan Çela, vjeç 22”, - tha zyrtarisht policia.

Në spitalet e Gjirokastrës dhe Fierit po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore personat e tjerë që kanë mbetur të plagosur nga ky aksident, gjendja e të cilëve nuk paraqet probleme për jetën.

Ndërkohë në vendin e ngjarjes grupi hetimor i kryesuar nga Prokurori i rrethit Gjyqësor Fier, në përbërje të të cilit janë dhe ekspertë të strukturave qendrore të Qarkullimit Rrugor dhe Ekspertë Kriminalistë, vazhdon punën për zbardhjen e rrethanave dhe të shkakut të këtij aksidenti të rëndë.

***

Duke folur mbi ngjarjen e rëndë të ndodhur në rrugën nacionale Fier-Tepelenë, në fshatin Ziaj, të Komunës Fratar, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit

tha se autobusi me pasagjerë i linjës Tiranë –Athinë ka dalë nga rruga dhe ka rënë rreth 100 metra poshtë, si pasojë e daljes nga rruga.

Ndërkohë nga strukturat e policisë është bërë verifikimi i të gjithë pasagjerëve, që po udhëtonin me këtë automjet gjithsej 49, duke e konfirmuar dhe nga agjencia ALB Trans.

Konfirmohet se ka përfunduar nxjerrja e të gjithë pasagjerëve nga autobusi dhe nga strukturat e Policisë së Shtetit që ndodhen në vendngjarje është bërë dhe kontrolli i gjithë zonës.

Krahas veprimeve të kryera për dhënien e ndihmës dhe transportimin e të dëmtuarve, nga strukturat e policisë dhe grupi hetimor në vendin e ngjarjes vazhdon puna për zbardhjen e rrethanave dhe të shkakut të këtij aksidenti të rëndë.

Përmbledhje 00.02 - Janë mbyllur operacionet e kërkim-shpëtimit të Forcave Speciale dhe RENEA të Ministrisë së Brendshme në vendin ku ndodhi tragjedia rrugore me shumë të vdekur dhe të plagosur. Në operacion morën pjesë dhe disa ekipe mjekësore.

Raportohet jozyrtarisht se në aksident kanë gjetur vdekjen nëntë vetë si dhe 36 të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Dëshmitarët folën për rreth 50 udhëtarë si dhe shoferi i autobusit të KTEL-it Janinë, që ishte një shtetas grek dhe që nga Tirana po i çonte drejt Greqisë, në Athinë.

Kurse të mbijetuar kanë arritur të dalin gjallë dhe pa dëmtime serioze trupore, pjesa tjetër e pasagjerëve.

Policia nuk jep të dhëna zyrtare për fatin e shoferit të autobusit të aksidentit. Kurse mediat greke raportojnë se gjendja e tij është jashtë rrezikut për jetën me disa lëndime.

Sakaq, të plagosurit janë dërguar në spitalet e Tepelenës, në spitalin e Gjirokastrës si dhe në spitalin e Fierit.

Pak para mesnate në Spitalin Ushtarak të Tiranës mbërriti e plagosura e parë, e identifikuar si Sebie Boksiu, gjendja e të cilës ishte e rëndë për shkak të dëmtimeve në shtyllën vertebrale.

Ministria e Shëndetësisë bëri të ditur se është vendosur në gatishmëri për të përballuar pasojat e kësaj tragjedie rrugore.

***

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 20.00, të mbrëmjes së sotme në rrugën nacionale Fier-Tepelenë, në fshatin Ziaj, të komunës Fratar, afro 80 kilometra larg nga kufiri shqiptaro-grek.

autobusi i linjës Tiranë –Athinë, me targë greke INB 9900, me drejtues mjeti shtetasin grek Tomas Tçogas, si pasojë e humbjes së kontrollit mbi mjetin, ka rënë në humnerë, në një distancë lartësie rreth 100 metra.

Për menaxhimin e këtij aksidenti të rëndë dhe dhënien e ndihmës personave të dëmtuar, menjëherë janë angazhuar strukturat e Drejtorive të Policisë së Qarqeve Gjirokastër dhe Fier, si dhe të Komisariateve të Policisë Fier, Tepelenë dhe Ballsh.

Në operacionin e shpëtimit janë angazhuar gjithashtu dhe rreth 100 forca të FNSH, si dhe forca të Repartit Special RENEA.

Po ashtu janë angazhuar shërbimi zjarrfikës, si dhe ai spitalor i rretheve Fier dhe Tepelenë.

Pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë është ngritur një grup pune, i cili koordinon gjithë veprimet e shërbimeve të policisë në vendngjarje.

Nga të dhënat e deritanishme rezulton se nga ky aksident i rëndë kanë humbur jetën tetë persona.

Ndërkohë nga forcat e policisë që ndodhen në vendngjarje, është bërë e mundur që të nxirren nga autobusi mbi 40 pasagjerë, të cilët kanë marrë dëmtime të ndryshme dhe janë dërguar për të marrë ndihmë mjekësore pranë strukturave spitalore.

Në vendngjarje puna e strukturave të Policisë së Shtetit, konsistoi në përpjekjet për t’u ardhur në ndihmë të dëmtuarve nga ky aksident i rëndë.

Ndërkohë grupi hetimor i ngritur për hetimin e kësaj ngjarjeje të rëndë, tha se në përfundim të veprimeve të kryera, do të bëjë dhe zbardhjen përfundimtare të shkakut dhe të rrethanave të këtij aksidenti.

Disa nga të mbijetuarit:

Brunilda Halili, 16 vjeçe. Frakull, Fier

Valbona Guma, 17 vjeçe, Frakull, Fier

Rina Boçi nga Lushnja

Daniela Papadhaki 34 vjeçe nga Gjirokastra

Ervin Mema, 34 vjeç nga Kavaja

Eduard Premçi, 29 vjeç

Ministri i Jashtëm Grek: Ndihmë për aksidentin fatal të Tiranë-Athinë Athinë, 9 Nëntor 2010 NOA Update – Ministri i Jashtëm i Greqisë, Dhimitris Drutcas, ka biseduar sonte me homologun e tij shqiptar, Edmond Haxhinasto duke i ofruar ndihmë për viktimat e aksidentit tragjik ku shofer ishte një shtetas grek.

“Ne ju konfirmojmë gatishmërinë e Greqisë që t’ju vijë në ndihmë për të plagosurit e aksidentit që ndodhi”, ka deklaruar z.Drutcas në bisedën telefonike që pati me z.Haxhinasto.

Po ashtu z.Drutcas ka shprehur dhe keqardhjen për tragjedinë rrugore me shumë të vdekur dhe të plagosur.

Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme Greke, Ambasador Aleksios Zepos, ka komunikuar me ambasadorin shqiptar në Athinë dhe e njohu atë me gatishmërinë që ofron pala greke për pasojat e aksidentit rrugor.

Zepos ka deklaruar se të plagosurit mund të dërgohen lirisht në Spitalin e Janinës për ndërhyrje më të përshtatshme mjekësore.

e.r/NOA

Lexoni gjithcka mbi ngjarjen tragjikeSHIKONI TE GJITHA FOTOT TE GALERIA
KOMENTE