Tiranë, 9 nëntor, NOA - Shoqata e Autonomisë Vendore, e cila përfaqëson mbi 100 komuna e bashki në vend, ka kundërshtuar me forcë vendimin e qeverisë për t’ia faturuar pushtetit lokal faturën e kasave fiskale, por edhe projektligjin për ndryshimin e ligjit për taksat vendore.
SHAV e konsideroi projekt-ligjin e propozuar si një përshkallëzim të sulmeve të qeverisë Berisha ndaj bashkive dhe komunave të opozitës në prag të zgjedhjeve vendore të vitit 2011.
“Për më tepër, - u shpreh Shoqata - ky sulm është në vazhdën e sulmeve të tjera të ngjashme të kohëve të fundit, siç është tagri që ju dha Ministrit të Financave për të bllokuar në çdo kohë buxhetet vendore, si dhe propozimi që bizneset me qarkullim vjetor mbi 2 milionë lekë të paguajnë TVSH”.
SHAV denoncoi po ashtu faktin se projekt-ligji mbi ndryshimet në ligjin për taksat vendore, i cili po shqyrtohet aktualisht në Kuvend, synon t’u hedhë në kurriz qeverive vendore barrën financiare të korrupsionit me kasat fiskale, duke mbështetur ndërkohë idenë që bizneset t’i blejnë kasat me një çmim të përballueshëm për ta dhe me kompensimin nga buxheti i shtetit.
Në të kundërt, miratimi i këtij projekt-ligj, do të rrënojë buxhetet e bashkive dhe komunave, duke ju shkaktuar atyre rreth 90% humbje në të ardhurat e veta. Në disa bashki humbjet në buxhetin vendor do të arrijnë deri në 140%.
Një grup përfaqësuesish të SHAV, të kryesuar nga Kryetari i Shoqatës Artan Shkëmbi dhe Drejtori Ekzekutiv Bledar Çuçi tentuan të takohen me Ministrin e Financave Ridvan Bode për t’ i ngritur këto shqetësime.
“Ndërkohë që Europa ka hequr vizat për shqiptarët, mesa duket kryetarët e bashkive kanë nevojë për viza për të hyrë në institucionet e qeverisë Berisha. Ne ishim sot këtu për ti kërkuar Ministrisë së Financave që të ulet në tavolinën e përbashkët me ne dhe të bisedojë në lidhje me projektligjin që qarkullon sot në zyrat e Kuvendit të Shqipërisë. Do ti bënin thirrje sot që ky projektligj të tërhiqet ose qeveria të gjejë mënyra të tjera për kompensimin e kasave për biznesin e vogël. Ne sërish vazhdojmë ti bëjmë thirrje kryeministrit Berisha dhe qeverisë së tij që të ulet në tryezën e bisedimeve me ne, në rast të kundërt ne do të përshkallëzojmë veprimet tona dhe nuk do të lejojmë që shërbimet ndaj qytetarëve dhe buxhetet e bashkive tona të cënohen”, tha kryetari i shoqatës për Autonomi Vendore Artan Shkëmbi.
n.e/NOA