Udhëheqësit politikë të të gjitha palëve kanë një mundësi historike për ta sjellë Shqipërinë në Bashkimin Evropian, duke përmbushur në këtë mënyrë një aspiratë të të gjithë shqiptarëve
Nga Shtefan Fyle*
Komisioneri Evropian për Zgjerimin dhe Politikën Evropiane të Fqinjësisë
Shqipëria është plotësisht e angazhuar për të ardhmen e saj evropiane. Vendi juaj është një vend me shumë potenciale dhe që ka punuar shumë për të bërë përparime. Megjithatë, kërkohen përpjekje të mëtejshme për të shkuar më tej mbi bazën e arritjeve të kryera deri më tani.Ditën e hënë, Bashkimi Evropian tregoi se është i hapur për qytetarët shqiptarë. Heqja e vizave për udhëtimet afatshkurtra në vendet Shengen do të ketë një ndikim real, duke e bërë më të lehtë dhe më pak të kushtueshëm udhëtimin dhe përvojën tuaj në Bashkimi Evropian. Nga ana tjetër, heqja e vizave do t'ju lejojë t'i shihni drejtpërsëdrejti përfitimet që i ka sjellë Bashkimi Evropian qytetarëve të Shteteve Anëtare si të rejat ashtu edhe të vjetrat.
Ndaj me ju kënaqësinë e një pune të bërë mirë. Ka edhe arritje të tjera për të cilat duheni përgëzuar. Janë ndërmarrë nisma për forcimin e shtetit të së drejtës dhe luftës kundër diskriminimit. Po ashtu, Shqipëria vazhdon të japë një kontribut të vlefshëm për bashkëpunimin dhe stabilitetin rajonal.
Si njeri që e ka përjetuar personalisht procesin e zgjerimit, unë e di që sado krenar të ndjehesh për arritjet e realizuara, nuk ka kohë për të pushuar: përpara del gjithnjë një sfidë tjetër edhe më e madhe. Për Shqipërinë, objektivi është të vazhdohet më tej mbi bazën e punës së kryer dhe të përballohen hapat e vështirë që kanë mbetur në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
Së pari e mbi të gjitha, duhet të zgjidhet ngërçi politik që po vazhdon, pasi ai pengon funksionimin e duhur të institucioneve demokratike, duke vonuar në këtë mënyrë reforma thelbësore për procesin e anëtarësimit në BE. Është jetike që Kuvendi të funksionojë si një dhomë për ligjbërje të efektshme, duke u bazuar te debati konstruktiv, një dhomë ku të dëgjohet çdo zë e ku të gjitha palët të marrin pjesë plotësisht në proces.
Përtej kësaj, unë shoh të tjera sfida thelbësore, prej të cilave, në rast se përmbushen, qytetarët shqiptarë do të përfitojnë shumë: duhet forcuar shteti i së drejtës, duhet luftuar në mënyrë efikase korrupsioni dhe krimi i organizuar, duhen respektuar plotësisht dhe duhen mbrojtur me ligj të drejtat e njeriut dhe të drejtat e pronës. Kam parë përparimin e bërë në miratimin e ligjeve, por ky është vetëm hapi i parë. Sfida e radhës për Shqipërinë është të demonstrojë kapacitetin e vet për të zbatuar legjislacionin dhe për të aplikuar në mënyrë të qëndrueshme standardet dhe praktikat evropiane.
Opinioni i Komisionit për aplikimin e vendit tuaj për anëtarësim në Bashkimin Evropian ju tregon udhën e duhur drejt përmbushjes së synimeve tuaja. Shpresoj shumë që kjo mundësi të shfrytëzohet nga të gjithë ju. Nga ana e tij, Komisioni Evropian do të vazhdojë të japë asistencë për të ndihmuar në përparimin e qëndrueshëm të vendit dhe arritjen e objektivave.
Udhëheqësit politikë të të gjitha palëve kanë një mundësi historike për ta sjellë Shqipërinë në Bashkimin Evropian, duke përmbushur në këtë mënyrë një aspiratë të të gjithë shqiptarëve.
*Ky artikull botohet me rastin e publikimit më 9 nëntor të Paketës së Zgjerimit të Komisionit Evropian, në të cilën përfshihet edhe Opinioni për Shqipërinë