English

Topi ngushëllon familjarët e viktimave: Hidhërim në çdo familje

Tiranë, 9 nëntor, NOA - Presidenti i Republikës, Bamir Topi, u shprehu sot përmes një deklarate të posaçme për shtyp, familjeve të viktimave të aksidentit tragjik në aksin Fier-Tepelenë.

“Të dashur familjarë dhe të afërm të viktimave. Në këto momente të dhimbjes të thellë njerëzore për humbjen e njerëzve tuaj më të afërt e më të dashur, është tepër e vështirë të gjenden fjalët ngushëlluese për të qetësuar zemrat tuaja nga hidhërimi i kësaj tragjedie.

Më lejoni, që në këto çaste tepër të vështira të gjendem shpirtërisht pranë jush duke ju shprehur solidaritetin njerëzor dhe gatishmërinë institucionale për të qenë plotësisht në mbështetje të nevojave tuaja më imediate”, shprehet Topi në mesazhin e tij.

Duke shtuar se “lajmi për këtë aksident fatal, që shkaktoi ndarjen tragjike e të parakohshme nga jeta të familjarëve tuaj, sjell hidhërim në çdo familje shqiptare dhe si qytetarë, ne sot ndajmë me ju pikëllimin dhe shprehim lutjen që shpirti i tyre të prehet në paqe”.

n.e/NOA

KOMENTE