English

Vlorë, arrestohet 66 vjeçari që përfitoi troje përmes dokumentesh të falsifikuara

Vlorë, 9 nëntor, NOA – Një 66 vjeçar nga Vlora i quajtur Strati Xhelili, ka falsifikuar të gjitha dokumentat e pronësisë për rregjistrimin e një sipërfaqe trualli prej 500 m2, në lagjen “24 maji” të qytetit të Vlorës, sipërfaqe të cilën pasi e ka rregjistruar në Zyrën Vendore të Rregjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Vlorë ia ka dhënë për ndërtim një kompanie ndërtimi në këmbim të pasurive.

Ky fakt ka bërë që prokuroria e Vlorës t’i japë arrest me burg 66 vjeçarit Strati Xhelili, nga fshati Dukat i Vlorës për veprën penale të falsifikimit dhe përdorimit të dokumentave të falsifikuara, një vepër e kryer shumë herë nga ky shtetas si dhe të vërë në sekuestro preventive pronat që ai gëzonte me dokumente të falsifikuara.

Prokuroria e Vlorës ka vënë në sekuestro pasurinë e Xhelilit, në një pallat në lagjen “24 maji” të qytetit të Vlorës.

Kështu janë sekuestruar tre apartamente banimi të përbërë nga dy dhoma gjumi, një ambjent ndenjieje dhe gatimi, si dhe ambjente ndihmëse të ndodhura përkatësisht një në katin e pestë, në të gjashtin dhe në të shtatin si dhe është sekuestruar një njësi shërbimi me sipërfaqe 50 m2, me orientim dhe një garazh për parkim automjeti me sipërfaqe 30 m2.

Prokuroria e Vlorës sqaron se dokumentat që Xhelili dispononte ishin tërësisht të falsifikuara, dhe ku shtetas i kishte përdorur ato në disa procese gjyqësore në Gjykatën e Vlorës, për fitimin e pasurisë dhe detyrimin e Zyrës së Rregjistrimit duke përfituar nga fakti se pasuria ka qenë truall shtetëror dhe nuk pretendohej nga ndonjë subjekt tjetër apo pronar.

Strati Xhelili është në hetim edhe për disa pasuri të tjera kryesisht troje të përfituara e regjistruara në emër të tij nëpërmjet dokumentesh të falsifikuara.

mit/NOA
KOMENTE