English

Aktori Rexhep Mitrovica viziton Teatrin e Metropolit

Tiranë, 10 nëntor, NOA / Milena Selimi - Në ardhjen e tij të dytë në Tiranë, aktori Rexhep Mitrovica u prezantua përpara publikut të kryeqytetit me leximin e veprave "I dënuar me vdekje", " Marshim i përmortshëm" dhe "Këngë dashurie" të autorit Jean Genêt.

Edhe pse në pak ditë qëndrimi në kryqytetin shqiptar, aktori i mirënjohur me origjinë shqiptare, pati mundësinë të vizitonte ambientet e Teatrit të Metropolit, ku u prit nga drejtues të këtij institucioni dhe një grup aktorësh dhe regjisorësh të rinj, të sapodiplomuar në AAB në Tiranë.

Në vizitën e tij në këtë teatër, i cili është krijuar në vitin 2008, aktori shoqërohej nga, Raymond Chauffor, shef i bashkëpunimeve në Ambasadën franceze në Tiranë.

Aktorit iu bë i njohur kalendari i shfaqjeve, ambiciet e radhës dhe vizionet për një teatër bashkëkohor.

Në momentin e hyrjes në Teatrin e Metropolit, aktori Mitrovica qëndroi pak minuta përpara fotografisë së aktorit të madh shqiptar Agim Qirjaqi dhe shprehu konsideratën e mirënjohjen e tij për kontributin e madh dhe të vyer në artin e teatrit.

“Më kujtohet loja e tij në filmin “Kolonel Bunker”, ku e kam admiruar dhe e vlerësoj shumë”, u shpreh Mitrovica, duke u njohur edhe me shumë figura të njohura të artit teatror shqiptar si Sulejman Pitarka, Kadri Roshi, Violeta Manushi, etj, të cilët janë krenaria dhe nderi i Teatrit shqiptar.

Emocionuese ishte prezenca e tij në sallën “Çehov”, njohja me skenografinë e shfaqjes së radhës në Teatrin e Metropolit, “Vdekja e mbretëreshës” nga Rexhep Qosja.

“Jam shumë i lumtur që ndodhem këtu mes jush, ju falenderoj për pritjen dhe vëmendjen tuaj ”, tha Mitrovica.

Një karrige nderi, me emrin e aktorit Rexhep Mitrovica iu shtua sallës “Çehov” duke qëndruar përkrah emrave të tjerë të mëdhenj të artit dhe kulturës shqiptare si Ismail Kadare, Bekim Fehmiu, Violeta Manushi, Bexhet Nelku, Kadri Roshi, etj.

Një buqetë me lule nga Teatri i Metropolit, një bisedë e ngrohtë me aktorët e rinj dhe fjalët e tij “Ndihem i nderuar, që emri im qëndron përkrah artistëve të tjerë, që kanë bërë rrugë në artin shqiptar dhe janë shembull frymëzimi për të gjithë brezat shqiptarë”. Aktorët e rinj të pranishëm patën mundësinë të dëgjojnë nga afër dhe u njohën me rolet e tij në teatër, me punën në skenë dhe me ndryshueshmërinë e karaktereve, që Mitrovica arrin në personazhet që krijon.

Vizita e tij në Teatrin e Metropolit vazhdoi me prezantimin e ambienteve të tjera si salla “Bodrum”, salla alternative që i ofron publikut autorë bashkëkohorë dhe vepra kontemporane.

“Dinamike, interesante dhe shumë funksionale”, do ta cilësonte mjeshtri i fjalës. Gjithashtu ai u njoh me punën e sallës “Shekspir”, salla më e re që do t’i shtohet së shpejti këtij teatri, ku elementët arkitekturalë përkojnë me një sallë rrethore, që jep hapësira dhe ide për risi regjisoriale.

“Ju falenderoj për këtë takim të ngrohtë dhe miqësor dhe do të jem përherë i gatshëm, brenda mundësive, për bashkëpunime me Teatrin e Metropolit”.

Me këto fjalë e përfundoi vizitën e tij, aktori i mirënjohur me origjinë shqiptare, Rexhep Mitrovica.

Rexhep Mitrovica është një nga figurat më të rëndësishme të teatrit francez.

Si aktor i teatrit kombëtar francez “Komedi Franceze”, ai ka interpretuar Hamletin, me të cilin ka fituar çmimin “Molière de la Révélation théâtrale”.

Shtypi francez e cilëson një aktor me potencial të lartë artistik, që nis që nga zëri, portreti shprehës dhe plastika.

Këto cilësi të veçanta aktoriale e bëjnë që të ketë mundësinë të interpretojë në shumë pjesë dramaturgjike të karakterit dramatik, komik dhe psikologjik.

Përmenden për role si Don Zhuani, Mbreti Lir, për interpretime të jashtëzakonshme në rolin e Orestit tek “Elektra” dhe në dramen “Jeta e Galileut” të Brehtit.

Në karrierën e tij si aktor numërohen shumë regjisorë francezë, nga më të dëgjuarit , me te cilët ai ka luajtur mbi 80 role.

Edhe në film ai ka luajtur pranë Miklos Jancso, Andrzej Zulaëski, Yves Angelo, Gilles Bourdos, Alexandre Sourine, Bruno Herbulot, Fabrice Cazeneuve, Patrick Tringale etj.

Në këtë vizitë të dytë në Shqipëri, Rexhep Mitrovica prezantoi lexime nga Jean Genêt, njëra prej shfaqjeve të tij të suksesshme, dhënë në Paris dhe Palestinë.

m.s/mit/NOA
KOMENTE