Uashington, 10 Nëntor, NOA - Komuniteti shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të organizojë protesta të pakënaqur me regjistrimin e popullsisë në Maqedoni, njofton korrespodenti i agjencisë së lajmeve INA në Nju Jork.
Përfaqësues të shoqatave shqiptaro-amerikane, kryesisht të përbëra nga dibranë dhe shqiptarët e zonave tjera të Maqedonisë do të organizojnë protestat në Nju Jork, në shenjë proteste për procesin e regjistrimit të popullsisë në Maqedoni, i cili me ligjin e ri do të anashkalojë votimin e diasporës shqiptare.
Përveç protestave do të përgatitet edhe një peticion i përbashkët që do ti drejtohet institucioneve amerikane, përfaqësive diplomatike të Maqedonisë në SHBA dhe të OKB-së për të kundërshtuar manipulimin e autoriteteve maqedonase lidhur me numrin e shqiptarëve dhe anashkalimin e diasporës shqiptare ,e cila është në numër të konsiderueshëm.
Protesta pritet të mbahet para selisë së OKB-së në Nju Jork dhe përfaqësisë diplomatike të Maqedonisë. Komuniteti shqiptar në SHBA përkrah të gjitha përpjekjet dhe zërat e protestave për të parandaluar manipulimin dhe falsifikimin e numrit të shqiptarëve në regjistrimin e popullsisë që do të mbahet më 1 prill të vitit 2011.
Diaspora shqiptare kërkon transparencë dhe përkrahjen e ndryshimeve të Ligjit për regjistrim të propozuar nga partitë opozitare shqiptare para se ky ligj të marrë dritën jeshile nga mazhoranca e koalicionit qeveritar VMRO-DPMNE dhe BDI.
NOA-INA