Budapest, 10 nëntor, NOA- Me ftesë të homologut të tij hungarez, Janos Martonyi, ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, është nisur për një vizitë dyditore në Budapest.
Burime nga MPJ, bëjnë të ditur se gjatë kësaj vizite do të diskutohet mbi bashkëpunimin dypalësh, me fokus të veçantë dimensionin ekonomik, ecurinë e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë, në kuadër të Presidencës hungareze të BE-së, gjatë gjashtëmujorit të parë të 2011-ës, bashkëpunimi shumëpalësh si dhe mbi zhvillimet e fundit në Ballkanin Perëndimor.
Gjatë vizitës në Budapest, Ministri Haxhinasto do të takohet me Presidentin hungarez, autoritete të larta të parlamentit, si dhe me përfaqësues të komunitetit të biznesit.
Shefi i diplomacisë Haxhinasto do të jetë i ftuar nderi në Konferencën “Integrimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe Kryesimi Hungarez në BE” që organizohet nga Qendra Ndërkombëtare për Tranzicionin Demokratik.
mit/NOA