Bruksel 10 Nëntor 2010 - Komisioneri për Zgjerim i BE, Stefan Fule, një ditë pas opinionit për statusin, thotë se datat 8 dhe 9 Nëntor 2010 janë dy data historike dhe tejet pozitive për Shqipërinë dhe nuk duhen shikuar aspak si dhuratë, por si meritë për reformat.
Ai nënvizoi se dje Europa nuk i tha Jo, Shqipërisë për statusin e kandidatit, përkundrazi, ia hapi akoma më shumë derën, duke i dhënë mundësi që të plotësohen sidomos kriteret politike.
Komisioneri Füle në intervistën dhënë gazetares Erisa Zykaj për Tv Klan, bëri të qartë se Shqipëria i ka të gjitha shanset që në nëntor të vitit tjetër, jo vetëm të marrë statusin, por edhe të hapë negociatat me BE në të njëjtën datë.
"Komisioner, para se të futemi tek çështja e opinionit, do të doja të ndalesha te progres-raporti i këtij viti. Ka disa që mendojnë në Tiranë, se meqë Komisioni nuk e dha dje rekomandimin për statusin e kandidatit për Shqipërinë, Shqipëria nuk paskërka bërë asgjë gjatë një viti dhe të gjitha reformat përmblidhen me fjalën dështim. Pyetja ime është a ka bërë Shqipëria progrese në krahasim me një vit më parë, apo është dështim?
Ka bërë progrese dhe ka dy data të rëndësishme që e tregojnë këtë. E para është e hëna e 8 nëntorit ku u mor vendimi për liberalizimin e vizave që tregoi, se politikanët shqiptarë mund të arrijnë rezultate, edhe pse proçesi i vizave ishte vërtet një proçes shumë kërkues për të përmbushur të gjitha kriteret e udhërrëfyesit. Vendimi për heqjen e vizave nuk ishte një dhuratë falas që shtetet anëtare i bënë Shqipërisë. Ishte vërtet një punë e vështirë gjatë gjithë proçesit dhe ishte vlerësimi më i mirë që BE-ja dha për punën tuaj dhe sinqerisht urimet e mia për qytetarët shqiptarë. Data e dytë është ajo kur Komisioni dha opinionin. Nëse ju lexoni me vëmendje opinionin e Komisionit Europian, ne nuk kemi thënë që ne s’propozojmë hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë. Është e kundërta. Ne rekomandojmë hapjen e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë, por sigurisht me disa kushtëzime për të plotësuar disa kritere. Në këtë aspekt, ka një pikë shumë të rëndësishme. Ne mundohemi të jemi shumë seriozë kundrejt qeverisë shqiptare dhe kundrejt qytetarëve. Ne nuk po ju themi juve në mënyrë shumë të përgjithshme: Dëgjoni: ju duhet të plotësoni këto kritere dhe pastaj le ta shohim. Jo. Ne kemi dhënë një listë shumë të detajuar dhe përveç kësaj ju kemi dhënë një afat shumë të qartë. Ne kemi bërë të qartë, se do të shohim si do plotësohen kriteret e opinionit gjatë shpalljes së progres-raportit të paketës së zgjerimit të vitit tjetër. Pra ne ju ofrojmë vërtet një mundësi për disa muaj deri në nëntor. Fakti që Shqipëria nuk është rekomanduar si shtet kandidat tani, kjo nuk do të thotë se Shqipëria nuk mund të arrijë afatin e vitit tjetër dhe kjo nuk do të thotë që unë si komisioner nuk do të jem në gjendje jo vetëm që të rekomandoj statusin e kandidatit për Shqipërinë, por gjithashtu edhe një datë për hapjen e negociatave të anëtarësimit. Pra kjo është në dorën e vetë vendit. Është shumë e rëndësishme të thuhet se për arritjen e hapjes së negociatave ka përgjegjësi jo vetëm qeveria shqiptare, por i gjithë spektri politik, edhe opozita. Pra është një përgjegjësi e përbashkët për qeverinë dhe opozitën për të arritur këtë, ashtu siç është përgjegjësi e përbashkët për të kapërcyer ngërçin politik. Ngërçi politik është ai për të cilin ne kemi fjalën kur flasim për përmbushjen e kritereve të Kopenhagenit. Kjo është diferenca edhe për statusin e kandidatit.
“Pikërisht këtë doja t’ju pyesja. Kur shoh dy raportet prej 125 faqesh për të dyja vendet, ato nuk ka shumë ndryshim, madje mund të themi se Shqipëria është më e avancuar në fushën e ekonomike apo luftën kundër krimit të organizuar sesa Mali i Zi. Pra, a është ngërçi politik vërtet e vetmja arsye që ju nuk e rekomanduat që tani statusin e kandidatit?
“Mendoj, se nuk duhet t’i krahasojmë vendet duke i parë kriteret një nga një, pasi bëhet fjalë për vende të ndryshme, sfida të ndryshme dhe është e vështirë të krahasosh fjalë për fjalë arritjet, ashtu siç është e vështirë të shohësh një për një listën e prioriteteve që ne ju kemi dhënë të dyja vendeve për të përmbushur për hapjen e negociatave. Po të krahasosh listat e prioriteteve ka një numër më të madh në rastin e Shqipërisë, por kjo nuk tregon automatikisht përgatitjen e vërtetë të vendit. Kjo është pika e parë. Ka dhe diçka tjetër kur ne flasim për përgatitjen e hapjes së negociatave të anëtarësimit, është përmbushja e kriterit politik, pra kritereve të Kopenhagenit. Ne e tregojmë këtë shumë qartë në opinion. Ne kemi disa çështje për të zgjidhur edhe në Mal të Zi dhe në Shqipëri lidhur me stabilitetin e institucioneve në përputhje me respektimin e shtetit ligjor dhe këtu ka dallim kur flasim për një çështje apo për shumë çështje. Në rastin e Shqipërisë, përveç institucioneve dhe shtetit ligjor është dhe çështja e demokracisë . Në këtë aspekt ne i referohemi ngërçit politik, pasi kjo ka një rrjedhojë për parlamentin. Sigurisht që unë e di që parlamenti funksionin dhe aprovon ligje, por a funksionon në një bazë gjithëpërfshirëse? Jo. A reflekton mënyrën europiane të trajtimit të çështjeve? Jo. A është në gjendje që të aprovojë ligje, ku nevojitet shumicë e kualifikuar? Jo. A ka ende tensione midis palëve që filluan që me zgjedhjet e vitit të kaluar dhe u bënë shkak të mos arrihet një marrëveshje edhe për integrimin europian? Ka. E kam thënë përpara dhe po e them prapë. Kur takohem me politikanët tuaj. Ata janë të pjekur dhe kanë të gjitha instrumentet demokratikë për të zgjidhur ngërçin politik”.
“Ka disa zëra në Bruksel, në Parlamentin Europian por edhe në gjirin e shteteve anëtare, që thonë se Shqipëria nuk vlerësohet në mënyrë të ndershme, për faktin se 80% e popullsisë së saj është myslimane, pavarësisht se nuk bëhet fare fjalë për myslimanizëm radikal?
Sinqerisht jo. Nuk e kam dëgjuar dhe i hedh poshtë kategorikisht këto lloj zhurmash. Jam madje i habitur, se si disa mund të përhapin këto lloj informacionesh.
FUND