English

Marketingu Kulturor, mbahet nesër konferenca kombëtare

Tiranë, 10 Nëntor, NOA – Ministria e Kulturës zhvillon nesër konferencën Kombëtare për Marketingun Kulturor, mbi programin “Trashëgimia Kulturore për Zhvillim Social dhe Ekonomik”, i cili mbështet përpjekjet e qeverisë së Shqipërisë për të shfrytëzuar potencialin e trashëgimisë kulturore të saj, për të fuqizuar identitetin kombëtar të vendit, krijimin e mundësive ekonomike, rritjen e investimeve dhe përmirësimin e imazhit të vendit në Evropë e më gjerë.

Financuar nga Fondi Spanjoll për arritjen e Objektivave të Mijëvjeçarit, Programi “Trashëgimia Kulturore për Zhvillim Social dhe Ekonomik” është duke u zbatuar nga UNESCO dhe UNDP, në një bashkëpunim të ngushtë mes ministrisë së Kulturës dhe ministrisë së Jashtme.

Një nga qëllimet e përgjithshme të programit është mbështetja e institucioneve lokale për fuqizimin e kapaciteteve të tyre në fushën e menaxhimit të kulturës dhe trashëgimisë kulturore, rritjes së rolit të kulturës në politikat qeverisëse dhe artikulimin më të mire të identitetit kulturor shqiptar në promovimin e imazhit jashtë vendit.

Për këtë qëllim, programi ka zhvilluar një dokument politik të Marketingut Kulturor dhe një Plan Veprimi shoqërues, i cili ka si qëllim të pozicionojë Shqipërinë deri në vitin 2015, si një vend me një imazh frymëzues dhe atraktiv që kthehet në një destinacion mikpritës për turizmin kulturor dhe natyror.

n.e/NOA

KOMENTE