Tiranë, 10 Nëntor 2010 NOA – Vdekje të frikshme ka pësuar një punonjës i Policisë Rrugore teksa i kërkoi një shoferi të ndalë shpejtësinë e të ndalojë për kontroll rutinë. Polici u përfshi në rrotat e makinës që tentoi të ndalojë për kontroll duke gjetur vdekjen pak më vonë në spital.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sotme pranë një pike karburanti në vendin e quajtur Qafë Kashar në autostradën Tiranë-Durrës.
Rreth orës 19.30 një mjet ka ardhur me shpejtësi dhe pasi ka marrë përpara sinjalistikën e vendosur (konikët) dhe tabelën “ndal policia”, ka goditur punonjësin e policisë N/Komisar Pajtim Alstafa, 29 vjeç, me detyrë oficer në Njësinë për Kontrollin e Autostradave, i cili ishte dhe përgjegjës i kësaj pike kontrolli.
Menjëherë kanë ndërhyrë shërbimet e policisë prezent në vendngjarje, duke bërë të mundur bllokimin e mjetit dhe kapjen e shoqërimin në ambientet e policisë të autorit të kësaj ngjarje shtetasin Agim Ramazan Hajdini, 33 vjeç, banues në Burrel, i cili drejtonte automjetin tip BMË me targa Italiane, BY 470 MZ. Së bashku me autorin e kësaj ngjarje në ambientet e policisë është shoqëruar dhe pasagjeri që po udhëtonte me këtë mjet Erind Katuci, 21 vjeç, banues në Gurrë e Vogël Mat.
Ndërkohë menjëherë nga punonjësit e policisë i është dhënë ndihma e parë kolegut të tyre, si dhe është transportuar në drejtim të Spitalit Ushatrak, ku megjithë ndihmën mjekësore të dhënë punonjësi i policisë N/Komisar Pajtim Alstafa ka humbur jetën.
Aktualisht ndaj shtetasit Agim Hajdini po kryhen veprimet procedurale dhe materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
***
Policia e Shtetit ka folur zyrtarisht mbi ngjarjen duke dhënë edhe detaje të dobishme: “Në zbatim të detyrave të përcaktuara në Plan-operacionin e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë “Për rritjen e efikasitetit të strukturave të Policisë së Shtetit në parandalimin dhe zbulimin e ngjarjeve kriminale dhe rritjen e sigurisë në komunitet”, i cili është shtrirë në të gjithë territorin e vendit si në zonat urbane, interurbane dhe në akset rrugore, nga ora 18.00’ deri në orën -22.00‘ të ditës së sotme datë 10.11.2010, në autostradën Durrës – Tiranë, është ngritur një Pikë kontrolli e përbërë nga 2 punonjës të Njësisë për Kontrollin e autostradave, 2 punonjës të Njësisë Rajonale të Policisë Rrugore Tiranë, si dhe 4 punonjës të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë”.
Ky grup ishte planifikuar të kryente kontrollin në krahun e lëvizjes nga Durrësi në drejtim të Tiranës dhe ishte vendosur në një ambient të ndriçuar pranë një pike karburanti në vendin e quajtur Qafë Kashar.
Policia e Shtetit theksoi se Përgjegjësi i Pikës së Kontrollit kishte marrë masa për vendosjen e gjithë sinjalistikës së nevojshme, si dhe vendosjen e punonjësve të policisë duke formuar Pikën e Kontrollit.
e.r/NOA