English

Panairi i Librit, në shqip romani "Kthimi i Ferik Pashës” i shkrimtares greke, Rea Galanaki

Tiranë, 10 nëntor, NOA – Në ditën e dytë të Panairit të Librit “Tirana 2010”, në stendën promocionale të shtëpisë botuese “Toena”, ditën e premte, në 13 nëntor, në orën 12.00, do të promovohet romani i shkrimtares bashkëkohore greke, Rea Galanaki, “Kthimi i Ferik Pashës – Spina nel curre”, në praninë e autores.

Romani mbështetet në jetën e Ismail Pashës dhe vëllait të tij, Anton Kambani-Papadhaqi, persona realë të shekullit XIX.

Emri egjiptian i pashait ishte Ismail Selimi, shtojca Ferik përbënte titullin ushtarak.

Megjithatë, ai përmendet, sidomos në gojëdhëna, me emrin Ismail Ferik Pasha.

Emrin e krishterë nuk dihet me siguri të plotë nëse e kishte Emanuel apo ndryshe. Burimet, kërkimet historike dhe gojëdhënat nuk na japin shumë të dhëna mbi jetën e tij. Vetëm pak kronologji dhe ngjarje nga jeta e tij përputhen me njëra-tjetrën, kurse në disa periudha të gjata kohore emri i pashait nuk shfaqet kërrkund.

Por periudha me të dhënat më të shumta është ajo e Revolucionit të Kretës në vitet 1866-1868.

Personaliteti i Ismail Ferik Pashës, sikurse përpiqet ta pasqyrojë letërsia, mund – madje duhet – të cilësohet, gjer në njëfarë mase, si i trilluar.

Por, sipas studiuesve, natyrisht që nuk vlen e njëjta gjë me ngjarjet historike.

Marrja peng e një fëmije, ndryshimi i fesë dhe ngjitja në pushtet, ishin ndër dukuritë e zakonshme në Perandorinë Osmane.

Por, rasti i Ismail Ferik Pashës qe ndryshe: Gjysmë shekulli pas kapjes peng, ai kthehet në vendlindje, në Kretë, si komandant i ushtrisë egjiptiane, për të shtypur kryengritjen e grekëve të viteve 1866-1868, ku edhe mbeti i vrarë.

Vëllai i tij, dikur i marrë peng së bashku me të, por me fat tjetër në jetë, financonte dhe frymëzonte revolucionin grek nga Athina.

Ashtu siç ndodh me personazhe, që dalin në cepat e historisë, mungesa e dokumenteve të shkruara plotësohet me të dhëna gojore dhe mite, duke lënë çdo hapësirë të domosdoshme për ndërhyrjen e letërsisë.

Romani ndjek nga afër dokumentin, mitin dhe ngjarjet historike duke sintetizuar nëpërmjet “lirisë absolute” të artit, biografinë reale, dramatike të Ismail Ferik Pashës me dimensionet e saj romaneske.

Nëntitulli Spina nel cuore (di Venezia) – gjemb në zemër të Venecias – është shkëputur nga një dokument venedikas i shekullit XIII.

Kjo frazë i referohet rrafshnaltës së Lasithit.

Romani i shkrimtares së njohur greke, Rea Galanaki “Kthimi i Ferik Pashës” vjen i përkthyer në shqip nga Niko Kacalidha përmes një botimi 192 faqësh të Toenës, që kushton 600 lekë.

m.s/mit/NOA
KOMENTE