Tiranë, 10 Nëntor, NOA - Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli zgjodhi një mënyrë të veçantë për të uruar të rinjtë e të rejat me rastin e miratimit të vendimit historik të liberalizimit të vizave, duke çelur dyert e Parlamentit për ta.
Në një atmosferë të ngrohtë e të përzemërt, Topalli ndau me nxënës dhe nxënëse të gjimnazeve të ndryshme, këtë moment të madh që po përjeton mbarë kombi shqiptar, për të cilin, pas heqjes së vizave hapet një faqe e re e historisë drejt dimensioneve të reja e pa kufij të lirisë.
“Unë dua ta ndaj këtë ditë të veçante me ju, vendimin unanim të heqjes së vizave, ta festojmë së bashku. Ajo që unë e konsideroj të bukur dhe të veçantë është sepse ky vendim u bën ju që të ndiheni më natyralë në raport bashkëmoshatarët tuaj kudo në Evropë që ata janë. Është një vendim, që u bën që të jeni të lirë, ashtu siç e keni shpirtin tuaj, të lirë. Është një vendim, që ju bën të jeni me dinjitet, që ju bën të barabartë me çdo të ri, djalë, vajzë, kudo në vendeve e tjera të Evropës. Kjo është një ngjarje e jashtëzakonshme!”, u shpreh kryetarja e Kuvendit.
Më pas, ajo zhvilloi një bisedë të hapur me të rinjtë e të rejat duke iu përgjigjur interesit të tyre mbi përfitimet dhe detyrimet që rrjedhin pas procesit të liberalizimit të vizave. Ndërsa theksoi se ky proces, i bën jo vetëm të rinjtë por mbarë qytetarët të barabartë me ata evropianë, Topalli shprehu bindjen e thellë se shqiptarët do të qëndrojnë me dinjitet në respekt të detyrimeve që vijnë pas këtij vendimi historik.
“Është në fakt një vendim i cili respekton secilin prej jush, për atë që do të jeni nesër, për atë qe do të jetë secili prej jush, për atë që do të jetë karriera juaj, puna juaj, e ardhmja juaj, dëshirat dhe ëndrrat tuaja. Prandaj dhe unë ju uroj përzemërsisht, gëzuar këtë ditë të madhe”, përfundoi ajo.
n.e/NOA