English

Topi-Al Sheik: Mirëpresim investitorët sauditë në vend

Tiranë, 10 Nëntor, NOA - Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti dje kryetarin e Asamblesë Konsultative të Mbretërisë së Arabisë Saudite, Abdullah Bin Mohamed Bin Ibrahim Al-Sheik dhe delegacionin që e shoqëronte në kuadër të vizitës së tij zyrtare në vendin tonë.

Dy personalitetet e larta vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë midis Shqipërisë dhe Mbretërisë së Arabisë Saudite dhe shprehën besimin për vazhdimësinë e mëtejshme të tyre, nëpërmjet shkëmbimit të vizitave të nivelit të lartë.

Në këtë kuadër, bashkëbiseduesit nënvizuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërparlamentar, si fushë me interes për nxitjen e bashkëpunimit të gjithanshëm midis dy vendeve tona.

Në vijim të takimit, presidenti Topi bëri një panoramë të shkurtër të arritjeve të politikës sonë të jashtme, ku nënvizoi anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe vendimin e djeshëm të ministrave të Brendshëm të BE-së për liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë.

Kryetari i shtetit vlerësoi se Shqipëria ka të gjithë kuadrin ligjor të favorshëm, potencialin e mundshëm të burimeve natyrore, por dhe ato njerëzore për zhvillimin e bizneseve në fusha të një interesi të veçantë, si dhe garanton siguri dhe një klimë të volitshme për thithjen e investimeve të huaja në vend.

Në këtë kontekst, Topi vuri në dukje se ne mirëpresin një prani më të madhe të investitorëve të sektorit privat saudit edhe nëpërmjet financimit të projekteve në sektorë të rëndësishëm për zhvillimin e vendit si turizmi, infrastruktura, etj.

Nga ana e tij, Al-Sheik shprehu mirënjohjen dhe kënaqësinë për këtë takim me Presidentin Topi dhe në përgjithësi për faktin që ndodhet në Shqipëri në një atmosferë kaq festive dhe optimiste si rrjedhojë e arritjes së madhe për popullin shqiptar, liberalizimit të vizave me vendet e Bashkimit Evropian duke e quajtur atë “një çast i artë për popullin shqiptar dhe vendin tonë”.

“Shqipëria është në rrugë të mbarë drejt anëtarësimit në BE dhe populli shqiptar e meriton plotësisht integrimin në familjen evropiane”, - theksoi Al-Sheik.

n.e/NOA

KOMENTE