English

Arrati spektakolare nga burgu e 3 shqiptarëve, ja skema që përdorën

Argolidha, Greqi, 11 Nëntor 2010 NOA – Tre shqiptarë kanë kryer një arratisje spektakolare nga një burg i sigurisë së lartë në Greqi duke arritur të zhduken në drejtim të paditur dhe të shpëtojnë nga ndjekja policore dhe e gardianëve.

Ngjarja ka ndodhur në orën 01.00 të mëngjesit në burgun Tironthas në Argolidha, raporton korrespondenti i agjencisë NOA.

Gjatë natës ndërsa të burgosurit ishin në gjumë, tre shqiptarët po prisnin çastin e shumëpritur, atë të arratisjes.

Sigurisht, pasi për shumë ditë me radhë kishin arritur të hapnin një vrimë në qeli, të cilën kishin arritur ta mbanin të fshehtë nga kontrollet e gardianëve.

Rreth orës 01.00 ata kanë dalë që të tre nga qelia përmes vrimës së ngushtë dhe më tej e kanë gjetur veten jashtë godinës. Kanë përshkuar disa dhjetëra metra të oborrit të burgut dhe më tej kanë kapërcyer murin e lartë dhe telat me gjemba.

Më pas janë gjendur në mes të një pylli të madh dhe që andej janë zhdukur në drejtim të paditur.

Policia tha se e gjithë arratia është bërë më këmbë dhe dyshohet që tre shqiptarët të kenë përshkuar pyllin që i nxjerr në lokalitetin e Namblios.

Vetëm disa minuta më vonë, gardianët kanë pikasur se qelia e shqiptarëve ishte zbrazur dhe çdo përpjekje për t’i kapur, ishte e kotë.

Autoritetet thanë se kanë ndërmarrë pezullimin e të gjithë punonjësve të turnit dhe ka nisur hetimet për ngjarjen.

n.s/e.r/NOA

KOMENTE