English

Beqja: Shiun nuk e ndalojmë dot, por qeveria s’ka justifikim pse nuk merr masa

Tiranë, 11 nëntor, NOA – “Të gjithë po ndjekim me shqetësim situatën nga vërshimet e lumenjve dhe përrenjve. Si deputet i qarkut të Shkodrës dua të bëj publike situatën e vështirë në Shkodër e Malësi të Madhe”.

Kështu është shprehur në një deklaratë për shtyp, deputeti i Partisë Socialiste, Ilir Beqja, sipas të cilit, “Oboti është i gjithi i përmbytur, 50 shtëpi janë përmbytur në Kuç, përmbytje shtëpish ka edhe në Vaun e Dejës, ka shtëpi të përmbytura në Vukpalaj, Bogë dhe në Kamicë, rrugët e Kelmendit janë të gjitha të bllokuara, ajo Koplik-Bajzë është e bllokuar dhe ajo në hyrje të Shkodrës tek Harku i Bërdicës është e bllokuar”.

“Shiun nuk e ndalojmë dot, por qeveria nuk ka asnjë justifikim pse nuk merr masa. Sot është dita për të denoncuar premtimet e shkelura të kryeministrit. Sali Berisha premtoi Mastërplan kundër përmbytjeve, por nuk është bërë asgjë. U premtua mbi 200 milionë euro investime për thellimin e Bunës, për mbrojtjen e argjinaturave, për stacion të ri pompimi në Shkodër. Asgjë nuk u bë”, tha Beqja.

Duke shtuar se sot, është e qartë për të gjithë shqiptarët pse Sali Berisha i shkel premtimet.

“Ai nuk është votuar nga shqiptarët për të qenë kryeministër dhe nuk ndjen asnjë përgjegjësi për të punuar për ta e për të mbrojtur interesat e tyre”, tha Beqja lidhur me një fakt të tillë.

Duke përfunduar se përtej denoncimit, i kërkon Sali Berishës të kërkojë falje publike, të marrë përgjegjësitë për mashtrimet e bëra dhe të lëshojë karrigen që ka zënë me të padrejtë.

n.e/NOA

KOMENTE