Tiranë, 11 Nëntor, NOA Update – “Z.Ruçi, nuk gabuat kur thatë se në kohën kur të tjerët jetonin në bunker, unë lëvizja në Evropë. Por jo vetëm që udhëtoja, por paraqisja punime origjinale në Evropë dhe botë”.
Me këto fjalë, kryeministri Berisha ka replikuar me kreun e grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, ndërsa ky e fundit e akuzoi se ai po derdh lotë krokodili për shqiptarët që deri dre nuk lëviznin dot pa viza në Evropë.
“Jo presioni, por respekti për opozitën më bën mua që të vij në çdo seancë të parlamentit dhe të dëgjoj çdo problematikë që ajo ngre”, tha ai.
Duke shtuar ndaj Ruçit se u kthye në Shqipëri për “të të zbritur ty nga kali”.
“Unë lirinë time e kisha në Shqipërinë, por doja të luftoja për ata që e kishin peng atë. Ty nga kali të zë frika”.
***
“Një mirënjohje të thellë dhe nderim të përjetshëm atyre që për lëvizjen e lirë, bënë sakrificat më sublime dhe gjithë punonjësve të këtij vendi që me përkushtim të madh, me reformat që projektuan dhe zbatuan, bënë të mundur që Shqipëria të dalë nga lista e zezë e vendeve të pasigurta, në vendet e sigurisë së lartë”.
Me këto fjalë është shprehur kryeministri Berisha gjatë fjalës së tij në seancën plenare, duke e cilësuar procesin e liberalizimit të vizave sa të vështirë, aq edhe jetik për dinjitetin e shqiptarëve.
Duke vijuar më pas me çështjen e vizave, ai shprehu edhe një mirënjohje të thellë ndaj institucioneve evropiane për fisnikërinë që treguan duke ndihmuar shqiptarët.“Kam bindjen më të thellë se kjo do të trajtohet me dinjitetin më të madh nga qytetarët e këtij vendi”, tha ai.
Sipas Berishës, vendimi për heqjen e vizave me Evropën, e cila ishte bërë një kontinent i ndaluar, erdhi në një kohë kur u bë ç’është e mundur për të rrëzuar murin e krimit të organizuar, kur banda si e Aldo Bares luanin futboll me kokat e prera të njerëzve.
Me tej, Berisha theksoi se shembja e murit të korrupsionit ishte një nga arsyet madhore që e detyruan Bashkimin Evropian të liberalizojë vizat me Shqipërinë.
Shefi i qeverisë, nuk la pa përmendur edhe korrupsionin e lartë që ekzistonte vite më parë në fushën e pranimeve në universitet, nxjerrjen e vizave etj.
Duke folur më pas për sektorin dixhital, ai tha se qeveritë e mëparshme e lanë këtë vend në një terr të madh dixhital, ndërsa kompjuteri dhe interneti që ishin një mollë e ndaluar për shqiptarët, sot janë pjesë e një zhvillimi të madh teknologjik.n.e/NOA