English

Buzëqeshja testamentare e profesor Bedriut

Mbresa me rastin e 80-vjetorit të lindjes së profesor Bedri Dedjas. “Më i lumtur nga të gjithë, do të jetë ai popull i cili më mirë se çdo gjë tjetër do të mësojë fëmijët e vet, do të dijë të pasurojë mendimin dhe t’u japë drejtimin ndjenjave të tyre”. Bedri Dedja

Nga Ilir Çumani*

Kur e njoha Bedri Dedjan ...

Për herë të parë emrin e madh të profesorit të nderuar Bedri Dedja, shkrimtarit tonë të dashur dhe mikut më të ngushtë të shumë gjeneratave të lexuesve, veçanërisht të lexuesve të vegjël, e kam ndeshur në fëmijëri. Ai gjithmonë i ka konsideruar dhe i vlerësonte fëmijët si miqtë e tij më të ngushtë dhe më të mirë, të vërtetë dhe të sinqertë. Prej mëse 50 vjetësh, këtë emër të njohur dhe shumë të preferuar, çdo prind e fëmijë, çdo mësues e nxënës, çdo i ri dhe student, do ta ndeshte në veprat e shumta të krijimtarisë së tij artistike dhe shkencore. Edhe në numrat e revistave të kohës për fëmijë, në botimet periodike me figura shumëngjyrëshe si “Yllkat”, “Fatosi”, “Pionieri”, por edhe në gazetat periodike për të rinj “Zëri i Rinisë”, “Mësuesi” dhe revista “Pedagogjike” etj.

Bedri Dedja prej dekadash u bë pjesë e pandashme dhe e qenësishme në të gjitha institucionet arsimore të edukimit në vend, në të gjitha familjet shqiptare; sepse gjithmonë Ai ka qenë i pranishëm me fjalën dhe këshillën e tij të mençur e të urtë, si krijues, prind dhe edukator i mirë.

Brenga e profesorit, e ardhmja e brezit të ri

Me mendimin e tij teorik dhe shumë profesional, Bedri Dedja, ky personalitet i spikatur i fushës shkencore dhe akademike, na la një trashëgimi shumë të vyer dhe të pasur të krijimtarisë së tij të begatë, një pasuri të tërë në lëmin e letërsisë shqipe, kulturës, artit dhe përkthimeve, por, edhe mjaft studime që kishin të bënin me fushën e pedagogjisë, psikologjisë dhe sociologjisë bashkëkohore, të estetikës dhe mendimit filozofik, ku trajtoheshin pafund çështje që kanë të bëjnë me problematikën e gjerë dhe botën e madhe të fëmijëve dhe rinisë.

E ardhmja e brezit të ri ishte brenga dhe shqetësimi i tij, ishte kauza të cilës profesori i kushtoi jetën, sepse te kjo e ardhme Ai shikonte zhvillimin edhe përparimin e kombit tonë. Janë shembuj e raste pa fund të aspekteve dhe marrëdhënieve shoqërore, gjesteve dhe sjelljeve tejet njerëzore dhe humane të profesor Bedriut, që miq e kolegë, dashamirës, bashkëpunëtorë dhe bashkëkohës të këtij personaliteti poliedrik dhe me kulturë të gjerë erudite, i sjellin në kujtimet dhe mbresat e tyre, duke ndriçuar anë të tëra të personalitetit të Tij Njerëzor.

Sot, duke e ndjerë edhe më shumë mungesën e tij, këto kujtime dhe mbresa marrin përmasa dhe vlera të veçanta. Ato e ridimensionojnë edhe më shumë këtë figurë komplekse, po aq edhe unike. E bëjnë që të mbetet përherë i dashur dhe i respektuar, një pikë referimi dhe orientimi për të gjithë ne, që patëm fatin dhe e njohëm nga afër, patëm fatin të ishim bashkëkohësit e Tij. Por, me jetën dhe veprën e Tij, profesor Bedriu do të mbetet një shembull pozitiv dhe model i shkëlqyer edhe për brezat e ardhshëm që do të vijnë. Me këtë ndjesi, respekt e simpati, me këtë përfytyrim të mbartur prej shumë vitesh në imagjinatën time e kam përjetuar kontaktin e parë fizik me profesorin e nderuar Bedri Dedja.

Një ditë maji…

Ka qenë muaji maj i vitit 2003, kur personalisht i kam telefonuar në shtëpi profesorit. Ora shënonte 09.30 e mbrëmjes, dhe përmes dilemës nëse duhej ta telefonoja ose jo, vendosa më në fund të bëja hapin final.

Çuditërisht, në ato çaste që po formoja numrin e telefonit të shtëpisë së tij, ndjeja një emocion të pashpjegueshëm… Rrahjet e zemrës mu shtuan dhe nuk e di përse para se të shtypja butonin e fundit të numrit, u tërhoqa duke menduar se ndoshta nuk ishte ora dhe çasti i duhur… Duke qenë në krye të Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, isha mjaft i preokupuar dhe angazhuar në përgatitjet e një veprimtarie shumë të rëndësishme kombëtare dhe sensibilizuese për fëmijët jetimë në mbarë vendin.

Ishte një veprimtari që do të organizohej në Pallatin e Kongreseve për herë të parë me përmasa të tilla nga ky institut, me pjesëmarrjen e 3.000 fëmijëve jetimë nga e gjithë Shqipëria.

Ky eveniment do të organizohej më datën 30 Maj, një ditë para 1 Qershorit, që është edhe Dita Ndërkombëtarë e Fëmijëve. Veprimtaria ishte tejet e rëndësishme dhe do të transmetohej e plotë në TVSH. Ishin ftuar në këtë aktivitet shumë personalitete të politikës, artit, kulturës, shoqërisë civile, diplomatë dhe përfaqësues të kabinetit qeveritar, përfaqësues të prezencës së huaj në vendin tonë, akademikë, shkrimtarë dhe artistë të shquar të kinemasë dhe teatrit shqiptar, etj.

Nëpërmjet kësaj pjesëmarrje elitare, në një spektakël me një skenar dhe program të bukur ndërtuar që kishte në fokus tematikën e veçantë të kësaj shtrese shumë problematike, do të manifestohej një solidaritet ku do të përcilleshin mjaft mesazhe për mbarë shoqërinë dhe institucionet e vendit për më shumë vëmendje e kujdes për fëmijët pa kujdes prindëror.

Pra siç shihej, pjesëmarrja në këtë veprimtari ishte e një niveli që kërkonte përgatitje dhe seriozitet, një organizim dhe angazhim serioz të një niveli shumë të lartë. Në këtë rast, padyshim kërkohej ndihma dhe kontributi i njerëzve vullnetmirë që kishin përvojën e duhur dhe sensin pozitiv për të kontribuar që kjo veprimtari t’ia arrinte qëllimit.

Të nesërmen në mëngjes i telefonova profesorit. Nga ana tjetër e telefonit dëgjova një gjysmë zëri që u përgjigj: “Urdhëroni, Bedri Dedja jam!”. Në moment shtanga… M’u duk shumë i afërt ai zë, shumë i njohur… Ishte një zë i shtruar, i qetë, me ton të ulët, i ngrohtë, i butë…

U prezantova dhe i kërkova mundësinë e një takimi me të, nëse do të ishte e mundur. Sapo Ai e mori vesh se isha një person që në punën time të përditshme merresha me fëmijët jetimë, u bë edhe më i vëmendshëm. Pa u menduar gjatë tha: “Të pres sot në mëngjes në shtëpinë time, në ora 10.00. Ke mundësi të vish..!?”

“Po, - i thashë, - vetëm rrugën kam për të bërë. Për 30 minuta jam aty.

Mora me vete numrin e ri të revistës “Integrim”, dhe nxitova për të shkuar në shtëpinë e tij që ndodhej në rrugën e “Kavajës”, diku në qendër të Tiranës.

Rrugës, aty për aty më erdhi një shqetësim. Mendoja përballjen e bisedës në këtë takim të parë më të. Nuk e pata kohën e mjaftueshme të mendoja gjatë, kur befas u gjenda në shkallët e pallatit të tij… Ishte një pallat i ndërtuar prej shumë vitesh që nga koha e socializmit. Në çastin që po ngjisja shkallët, sa hap e mbyll sytë, u gjenda përballë derës së apartamentit ku banonte. Mendova me vete: “…Vallë, po kaq i thjeshtë e modest do të jetë edhe në banesën e tij profesori…(!?)”

Në fak, nuk u gabova. Apartamenti ku banonte profesor Dedja, ishte shumë i thjeshtë, nga ato që vetëm shkrimtarët kanë… Me shikim të parë, të binin në sy rafte të mbushura plotë e përplot me libra.

Nuk e di përse ky episod më solli ndërmend jetën e shumë personaliteteve të letërsisë botërore, të cilët, përgjithësisht kanë bërë dhe bëjnë një jetë fare modeste, jashtë çdo lloj luksi dhe pa shumë pretendime.

Sapo hyra në dhomën e tij të ndenjes, profesori u ngrit nga divani ku ishte ulur dhe pinte duhan. Më zgjati dorën dhe më ftoi të ulesha pranë tij. Bashkëshortja Pandora, një grua e bukur dhe fisnike, i qëndronte pranë. Me sa kuptova, përkujdesej shumë për të, sepse herë pas herë kur profesori fliste e kollitej, ajo e shikonte drejt e në sy. Tranzicioni që po kalonte vendi, por edhe mosha e problemet me shëndetin, e kishin lodhur ca, por gjithsesi, në sytë e tij të vegjël e të shndritshëm shikoje dritë, jetë, shpresë e ngazëllim…

Duke qenë edhe dëshmitar i shumë proceseve dhe fenomeneve negative që po kalonte shoqëria shqiptare në këtë periudhë të tranzicionit, profesor Dedja nuk mund të qëndronte pasiv dhe indiferent. Përkundrazi…

Vëmendja për shtresat në nevojë…

Ai tregonte vëmendje dhe kishte interes për gjithçka po ndodhte në vend; shprehte keqardhjen dhe shqetësim maksimal për kategoritë shoqërore më të brishta dhe më të pambrojtura. Në veçanti për fëmijët jetimë dhe pa kujdesin prindëror, të cilët për hir të së vërtetës, ishin më të ekspozuar dhe më të rrezikuar nga plagët sociale të kohës.

Si një ish-fëmijë i rritur jetim, (babai e la në moshë fare të njomë, 1 vjeç), e bënë atë të vëmendshëm dhe shumë të ndjeshëm ndaj çështjeve sociale, ndaj dhimbjeve, problemeve dhe halleve të njerëzve të thjeshtë që vuanin nga pamundësitë dhe mungesat e mëdha.

Fëmijët jetimë, (në veçanti fëmijët e Shtëpisë së Fëmijës) e kishin ndjerë nga afër e në shumë raste interesimin dhe përkujdesjen atërore të profesor Bedriut.

Dhe jo vetëm atëherë kur Ai mbante postin e zv/ministrit të Arsimit dhe kishte lidhje të drejtpërdrejta me ta, por edhe më vonë kur nuk i kishte këto përgjegjësi shtetërore, shumë vite pasi kishte dalë në pension, Ai ishte gjithmonë i angazhuar në ndihmën ndaj tyre dhe të njerëzve në nevojë.

Folëm gjatë për punën dhe programet e Institutit, për strategjinë dhe projektet e ardhshme që kishin të bënin me politikat sociale, për rrugët dhe format efikase që do të ndiqeshin për mbështetjen dhe integrimin në jetë të fëmijëve jetimë.

Pasi i dhurova kopjen e parë të revistës “Integrim”, botim që ai e quajti “Tribunë të Jetimëve Shqiptarë”, më premtoi se në numrin e ardhshëm Ai do ishte i pranishëm me penën e tij. Tha se do të shkruante diçka speciale për këtë revistë.

I entuziazmuar dhe i çliruar nga emocionet, nisa t’i tregoja prefesor Bedriut edhe qëllimin kryesor të këtij takimi, duke i thënë se me nismën e një grupi intelektualësh të shquar të vendit, dhe me mbështetjen e Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë, Instituti Kombëtar i Integrimit të Jetimëve, në veprimtarinë që do të organizoj në Pallatin e Kongreseve, do t’i propozonte Kuvendit të Shqipërisë që data 20 Maj të shpallet si “Dita Kombëtare në Ndihmë të Jetimëve Shqiptarë”.

Për këtë arsye, vijova më tej t’i shpjegoja profesorit, ne kërkojmë edhe mbështetjen tuaj. Me një fjalë, kërkojmë që t’i bashkangjiteni kësaj iniciative, këtij propozimi. Ta nënshkruani edhe ju atë.

Pa e mbaruar mirë fjalën, profesori u çel i tëri në fytyrë. I mallëngjyer, u mbush thellë me frymë dhe me sy të përlotur tha:

“Do të ketë të ardhme edhe për këtë vend… Padyshim, do ketë të ardhme edhe për këta fëmijë…”. Nxori nga xhepi stilolapsin e tij, dhe me një shpejtësi të rrufeshme e nënshkroi atë dokument në të cilën ndodheshin edhe mjaft firma të personaliteteve të njohura në vend si Dritëro Agolli, Ylli Popa, Xhevahir Spahiu, Kadri Roshi, Xhanfise Keko, Anesti Kondili, Diana Çuli, Ramazan Bogdani, Moikom Zeqo, etj.

Më pas, ai propozim u jetësua me një Ligj të veçantë nga Parlamenti Shqiptar, dhe sot, mbarë jetimët e Shqipërisë e kanë Ditën e tyre 20 Majin, si një ditë që tërheq vëmendjen dhe i bëhet apel shoqërisë dhe institucioneve të vendit për më shumë vëmendje dhe mbështetje ndaj tyre.

Projekti i fundit i profesorit, një testament për fëmijët jetimë

Të nesërmen, në Pallatin e Kongreseve salla ishte mbushur plot e përplot me fëmijë e të ftuar nga e gjithë Shqipëria. Me stafin organizativ të Institutit, prisnim në hollin e hyrjes të ftuarit special që e nderonin këtë eveniment të rëndësishëm me pjesëmarrjen e tyre dhe që organizohej për nder të fëmijëve jetimë. Mes të ftuarve të shumtë, ishte i pranishëm edhe profesor Bedriu. Në takimin që pata në shtëpinë e tij një ditë më parë, më premtoi se do të shkruante diçka speciale në numrin e ri të revistës “Integrim”. Dhe profesori e mbajti fjalën. Kishte qëndruar përgjatë gjithë natën i pa gjumë për ta shkruar atë program, të cilin ma dhuroi aq bujarisht të shoqëruar edhe me një buzëqeshje të ngrohtë atërore. Ishte çasti më emocionant që është fiksuar edhe në këtë foto që shoqëron shkrimin tim për profesorin e nderuar.

Në zarfin që më jep në dorë (para se të ndahej nga jeta), ndodhej programi që Ai projektoi për të ardhmen e këtij Instituti, për të ardhmen e fëmijëve jetimë. Ishte një program mjaft i ngjeshur dhe ambicioz, i bukurndërtuar mbi baza shkencore dhe metodikë bashkëkohore. Ai program synonte të garantonte mbështetjen ligjore dhe institucionale të këtyre fëmijëve nga ana e shtetit.

Por, brenda atij zarfi, ishte edhe buzëqeshja - testamentare që profesor Bedri Dedja la jo vetëm për fëmijët jetimë, por për të gjithë fëmijët e Shqipërisë…

Që në fytyrat e tyre të mos ketë asnjëherë cene e plagë sociale; që në sytë e tyre të mos ketë kurrë trishtim, brenga, lot dhe shpresa ta vrara fëmijësh; por vetëm ëndrra dhe pasione të bukura, lodra dhe gëzime, një të ardhme edhe më të mirë e të sigurt për ta.

* Drejtor i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë

KOMENTE