English

Çfarë duhet të bëjë Shqipëria përballë "lodhjes nga zgjerimi"?

Berlin, 11 nëntor, NOA - Stadi aktual në rrugëtimin e Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit europian përkon në kohë me të ashtuquajturën "lodhje nga zgjerimi” i BE-së.

Që nga origjina e Bashkimit Evropian në vitin 1957, kur ai përbëhej vetëm nga 6 vende - Gjermania, Franca, Belgjika, Holanda dhe Luksemburgu, deri në ditët e sotme me 27 vende anëtare, kanë ndodhur pesë raunde zgjerimesh. Çdo raund është konsideruar nga BE “një histori europiane suksesi”.

Por pas raundit të fundit, atij të vitit 2007, ku u pranua Bullgaria dhe Rumania, entuziazmit ia la vendin preokupimit e përballimit të sfidave të zgjerimit. E ashtuquajtura “lodhje nga zgjerimi” u bë pjesë e diskutimeve në institucionet e BE dhe përfshiu edhe opinionin publik. Aftësia e kapaciteteve të institucioneve dhe burimeve europiane për të përballuar një raund të ri zgjerimi u vu në pikëpyetje. Zgjerimi u frenua. Megjithatë BE nuk ndryshoi strategjinë e zgjerimit të tij.

Në axhendën e tij aktuale vazhdon të mbetet integrimi europian i Ballkanit Perëndimor. A përbën problem e ashtuquajtura "lodhje nga zgjerimi” për ritmet e këtij procesi për vendet e rajonit mes të cilave edhe për Shqipërinë?

Ballkani Perëndimor- tërheqës për BE për popullsinë e re në moshë

Sonja Licht, Presidente e Fondit për Studime Politike në Beograd, pjesë e rrjetit të Fondeve të tilla në të gjithë Europën Juglindore thotë për programin shqip të DW: “Lodhja nga zgjerimi është një çështje shumë më e gjerë në Europë. Europianët janë të shqetësuar për emigrantët që mund të dynden nga vendet e Ballkanit Perëndimor, për vendet e tyre të punës, për të ardhmen e tyre ekonomike. Por ndërkohë gjithmonë dhe më shumë flitet për nevojën që ka Europa për forca të reja pune, pasi popullsia e saj po plaket. Sipas analistëve tepër seriozë, në 2050-ën, Europës i duhen të paktën 50 milion emigrantë të rinj. Prandaj nuk mendoj se problemi më i madh i rajonit është lodhja nga zgjerimi. Problemi më i madh është se çfarë po bëjmë ne për të ndryshuar vetveten dhe rajonin,” thotë Sonja Licht.

Acquis communautaire - thelbi i reformave në Ballkanin Perëndimor

Të ndryshosh veten dhe rajonin do të thotë së pari të arrish standartet e acquis communautaire, pra të hartosh, pranosh dhe zbatosh në praktikë ligjet e BE. “Jam e sigurt se Europa Jug- Lindore shihet nga shumë vende të BE si një rajon shumë më i pëlqyeshëm për të marrë fuqi punëtore, sesa rajone të tjera më të largëta. Ballkanit Perëndimor i duhen institucione më të forta, kulturë më e madhe politike, arsimim më i mirë. Nëse i kemi këto, atëhere do të bëhemi të dobishem dhe si pasojë të dëshirueshëm për Europën,” thotë Sonja Licht.

Bashkëpunimi rajonal –rruga drejt anëtarësimit

BE mban gjallë aspiratën e integrimit duke vlerësuar si prioritet i strategjisë së tij integrimin e Ballkanit Perëndimor. Krahas këtij prioriteti inkurajon edhe politikën e fqinjësisë dhe të bashkëpunimit rajonal. Presidenti i BE, Herman van Rompuy, që vizitoi kohët e fundit Tiranën, e vlerësoi bashkëpunimin rajonal si rrugën e sigurtë që “Ballkani Perëndimor të zërë vendin e tij të merituar në familjen europiane.” Duke treguar dobinë e bashkëpunimit rajonal, Sonja Licht thotë: “Bashkëpunimi rajonal është mundësia jonë e madhe. Mendoj se duhet të të përpiqemi për ta zhvilluar atë shumë më tepër nga sa e kemi të zhvilluar sot”

Argumentet mbështeten në realitet: nga bashkëpunimi formohet një treg rajonal shumë më tërheqës sesa tregu i vogël i çdo vendi më vete, ky treg i ofron BE burime alternative energjie, potenciale turistike, monumente historike dhe kulturore.

Ndërkohë bashkëpunimi rajonal nuk varet nga stadi ku ndodhet secili vend në procesin e integrimit, por nga vullneti politik për ta realizuar atë.

Aktualisht Shqipëria, Serbia dhe Mali i Zi kanë statusin e vendit aplikant për kandidat për anëtarësim në BE. Statusin e vendit kandidat e ka fituar Maqedonia. Ndërsa Kroacia është në stadin e negociatave për t’u bërë anëtare e Bashkimin Evropian.

Deutsche Welle

KOMENTE