English

Haxhinasto-Martonyi: Hungaria, ndihmë Shqipërisë për integrimin

Budapest, 11 nëntor, NOA – Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, i cili ndodhet për një vizitë dyditore, në Budapest, u prit dhe zhvilloi sot, bisedime me homologun e tij të Hungarisë, Janos Martonyi.

Bisedimet e tyre u përqendruan në çështje të integrimit evropian të Shqipërisë, veçanërisht në kuadrin e përgatitjeve të Hungarisë për presidencën e radhës të BE-së, në gjysmën e parë të vitit 2011, në progresin e Shqipërisë për përftimin e statusit të vendit kandidat, në marrëdhëniet dypalëshe dhe thellimin e tyre në fushën ekonomike, çështje të rajonit të Ballkanit si dhe të bashkëpunimit të dy vendeve tona, në kuadër të organizatave ndërkombëtare.

Haxhinasto, i uroi homologut të tij hungarez, Janos Martonyi, suksese në ushtrimin e Presidencës së radhës së Bashkimit Evropian, gjatë gjysmës së parë të vitit 2011.

Ai shprehur besimin se Hungaria do të sjellë risi në agjendën e Bashkimit Evropian, në periudhën e Post Traktatit të Lisbonës.

Haxhinasto gjithashtu shprehu besimin se procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor do të vijojë të mbetet në prioritetet i Presidencës hungareze dhe vlerësoi se perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor është një stimul shumë i rëndësishëm, për ndërmarrjen dhe përmbushjen e reformave të brendshme, si dhe për një bashkëpunimi efektiv rajonal.

Ai vuri theksin veçanërisht në thellimin dhe intensifikimin e bashkëpunimit me Hungarinë, veçanërisht në drejtim të asistencës në rrugën e integrimit evropian të vendit tonë, ku përvoja hungareze mbetet e rëndësishme dhe për t’u ndjekur.

Ai gjithashtu nënvizoi se gjatë këtij bashkëpunimi, të dy palët duhet të intensifikojnë bashkëpunimin ekonomik, këmbimet tregtare, dialogun e biznesit dhe të institucioneve të tij. Ministri i Jashtëm Haxhinasto, ftoi për një punë të përbashkët në mënyrë që investitorët hungarezë t’i afrohen tregut shqiptar dhe që Shqipëria ti shtohet hartës së aktivitetit ekonomik dhe tregtar të sipërmarrjes hungareze.

Ministri i Punëve të Jashtme të Hungarisë, Janos Martonyi, shprehu vlerësimin për marrëdhëniet që vendet tona kanë ndërtuar dhe së bashku, forcojnë dhe diversifikojnë.

Ai vlerësoi progresin e Shqipërisë në rrugën reformave dhe procesit të integrimit evropian, si dhe përshëndeti arritjen e përfundimit me sukses të procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët shqiptarë.

Ministri Martonyi siguroi se vendi i tij do të vijojë të qëndrojë pranë Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, në procesin e tyre integrues, në familjen evropiane.

Të dy palët, vlerësuan nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve dypalëshe dhe shprehën vullnetin e përbashkët për intensifikimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat veçanërisht në atë ekonomike dhe tregtare.

n.e/NOA

KOMENTE