English

Ilir Meta: Situata në kaskadën e Drinit, plotësisht nën kontroll

Tiranë, 11 nëntor, NOA - Ministri i Energjetikës, Ilir Meta, nw njw konferencë për shtyp tha sot se situata hidrike në kaskadën e lumit Drin wshtw plotësisht nën kontroll.

“Sikurse jeni njohur vetë, dhe përmes mediave tuaja ia keni bërë të njohur edhe opinionit publik, këto dy ditët e fundit në zonën e Shkodrës ka pasur rreshje të jashtëzakonshme, të cilat kanë shkaktuar edhe përmbytje në zonën e mbi Shkodrës dhe në disa segmente ka vështirësi për kalimin e rrugëve nacionale apo lokale”, tha ai.

Duke vijuar: “Në këto kushte është mbledhur Shtabi i Emergjencës në Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare, si dhe Sekretariati Teknik i Menaxhimit të Plotave, të cilët vendosën fillimin e shkarkimit të ujit nga portat e hidrocentraleve të Komanit dhe të Vaut të Dejës, duke patur në konsideratë që shkarkimi i ujrave të ketë efekte sa më minimale në zonën e Nënshkodrës. Dua t’ju bëj të ditur se kjo situatë është tërësisht nën kontroll, sepse kuota në liqenin e Fierzës është ruajtur në nivele tepër optimale, jemi 13-14 m nën nivelin maksimal të lejuar të punimit në hidrocentralin e Fierzës. Hidrocentrali i Fierzës, prej mbrëmjes së djeshme, nuk po punon.

Duke pasur në vëmendje që hidrocentralet e Komanit dhe të Vaut të Dejës kanë kapacitet të kufizuar të mbledhjes së ujit, pavarësisht se edhe ata kanë qenë në nivele pothuajse minimale, për shkak të intensitetit të jashtëzakonshëm të prurjeve anësore, sidomos të lumit Valbona, prurje që kanë shkuar edhe deri në 2500 m3/sek gjatë ditës së djeshme, kemi qenë të detyruar, për të mos kaluar nivelet maksimale, për të bërë shkarkime. Këto shkarkime aktualisht janë 1360 m3/sek nga hidrocentrali i Komanit dhe 2400 m3/sek nga hidrocentrali i Vaut të Dejës, duke përfshirë edhe turbinat. Ndërkohë që, hidrocentrali i Fierzës është i mbyllur dhe është absolutisht nën kontroll të plotë, pasi niveli i ujit aty është 282.60 m dhe prurjet janë 750 m3/sek. Po prodhohet në mënyrë maksimale në hidrocentralet e Komanit dhe Vaut të Dejës.

Unë jam optimist për përmirësimin e kësaj situate, për arsye sepse Fierza është nën kontroll të plotë, është në nivele tërësisht të kontrolluara dhe këto prurje të jashtëzakonshme, anësore, në Koman dhe në Vaun e Dejës, janë fenomene të përkohshme dhe nuk mund të jenë fenomene të qëndrueshme. Ne shpresojmë që me rënien e këtyre prurjeje, pasi ka një tendencë për uljen e tyre, të ulet në mënyrë graduale niveli i shkarkimit nga hidrocentrali i Vaut të Dejës.

Së bashku me drejtorin e KESH-it unë kam qenë mbrëmë atje dhe kemi ndjekur nga afër situatën. Kemi zhvilluar një takim me Shtabin e Emergjencës së qarkut të Shkodrës, me prefektin, kryetarin e bashkisë dhe autoritetet e tjera. Është një situatë jo e zakonshme, po të kemi parasysh edhe vërshimin e Përroit të Thatë në zonën e Malësisë së Madhe, dhe disa shpërthime të tjera, të cilat nuk janë aspak normale, por janë të pranueshme si fenomene natyrore.

Është e rëndësishme që gatishmëria ka qenë dhe është maksimale. Është e rëndësishme që disa familje janë evakuuar, pasi kanë qenë në rrezik të këtyre përmbytjeve, dhe po punohet për të evidentuar të gjitha pasojat dhe për të riparuar të gjitha dëmet, sidomos përsa i takon veprave të artit apo rrugëve, të cilat shërbejnë për kalimet.

Aktualisht në hyrje të Shkodrës ka një problem në rrugën në Bërdicë, ku janë dhe të gjitha autoritetet e Policisë dhe të pushtetit vendor për të ndjekur situatën, pasi ka vështirësi për kalimin e mjeteve të vogla.

Besoj se situata do të vijë duke u përmirësuar sepse, e theksoj edhe njëherë tjetër, hidrocentrali i Fierzës është nën kontroll të plotë dhe ndaj nuk mund të ketë efekte afatgjata për shkak të kësaj situate tërësisht të jashtëzakonshme me lumenjtë apo përrenjtë e tjerë, që ndikon në prurjet anësore të Komanit dhe të Vaut të Dejës”.

Z. ministër, me sa centimetra rritet niveli në hidrocentralin e Fierzës?

Fierza rritet me 2-3 cm në orë. Është një rritje e papërfillshme, sepse është në nivelin 282.60 m, ndërkohë që niveli maksimal i lejueshëm është rreth 296 m. Prurjet në Fierzë janë mbi normalen, por nuk janë të jashtëzakonshme, rreth 750 m3/sek. Kjo na jep qetësinë dhe sigurinë për t’i kaluar sa më shpejt këto efekte të përkohshme që kanë ardhur për shkak të prurjeve të jashtëzakonshme anësore në Koman dhe në Vaun e Dejës. E theksova edhe më parë, edhe niveli në këto hidrocentrale është mbajtur në nivele minimale të mundshme, duke pritur shira dhe reshje të shumta. Kuptohet që kur niveli i prurjeve është jashtëzakonisht i lartë, atëherë e vetmja rrugë për të mos dëmtuar edhe vetë këto vepra të rëndësishme hidroenergjetike është të bëhen shkarkimet e detyruara. Shpresoj dhe besoj që në orët që vijnë niveli i shkarkimeve do të vijë duke u ulur.

Pra, përjashtoni çdo mundësi për të patur një situatë të ngjashme me atë të vitit të kaluar?

Nuk do të ketë asnjë situatë të ngjashme me atë të vitit të kaluar, për arsye sepse është punuar me kujdes maksimal në menaxhimin e të gjithë Kaskadës dhe sidomos në menaxhimin e Fierzës. Duke pritur reshje me intensitet të lartë është punuar, sidomos gjatë këtyre tre-katër javëve të fundit, për ta zbritur nivelin e ujit në Fierzë nga gati 289 m në 280 m pak ditë më parë. Kështu që, kemi një rezervë shumë të madhe për të menaxhuar të gjithë situatën.

Si është raporti mes prurjeve dhe shkarkimeve në Vaun e Dejës?

Sikurse ju thashë, prurjet janë 2200 m3/sek dhe shkarkimet janë 2400 m3/sek. Besojmë se prurjet do të vijnë në rënie, dhe po vijnë sepse ka një tendencë në rënie, që do të thotë që edhe në do të bëjmë shkarkime më të pakëta në orët që vijnë.

Ju u shprehët optimist se situata do të përmirësohet. Cilat janë pritshmëritë? A mund të vazhdojë gjatë kjo situatë?

Këto janë disa fenomene që nuk mund të kontrollohen nga askush. Por, optimizmi im bazohet në menaxhimin shumë të mirë që i është bërë dhe që po i bëhet hidrocentralit të Fierzës, sepse shqetësimi kryesor vjen kur niveli i ujit në këtë hidrocentral është pranë kuotës maksimale dhe ka prurje shumë të mëdha. Atëherë rrezikohet që të jemi të imponuar të bëjmë shkarkime të vazhdueshme dhe afatgjata, të cilat mund të kenë ndikim përkeqësues përsa i takon përmbyetjes në zonën e Nënshkodrës. Duke qenë se situata në hidrocentralin e Fierzës është absolutisht nën kontrol të plotë dhe kemi një hapësirë të madhe për të menaxhuar edhe një situatë më problematike me reshje apo me prurje në ujëmbledhësin e Fierzës, unë besoj që këto fenomene që kanë ndodhur këto dy ditë, me Valbonën apo me lumenj dhe përrenj të tjerë, të cilët kanë ndikimet e tyre në Koman dhe Vaun e Dejës, do të jenë të përkohshme sepse ndodh shumë rrallë që të vijnë prurjet 2500 m3/sek nga Valbona në Koman. Kjo është një gjë shumë e rrallë dhe nuk mund të jetë një fenomen i qëndrueshëm.

NOA

KOMENTE