English

Isa Mustafa: Dyert e LDK-së, të hapura për familjen Rugova

Prishtinë, 11 nëntor, NOA - Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se dyert e kësaj partie janë të hapura për familjen Rugova të cilën e cilësoi si institucion të rëndësishëm të Kosovës.

Ai thotë se është i gatshëm për bashkëpunim me të gjitha forcat politike të qendrës së djathtë, por përjashton çdo mundësi të përsëritjes së koalicionit të partisë së tij me Partinë Demokratike të Kosovës.

Zoti Mustafa, keni vetëm pesë ditë në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe gjatë kësaj kohe është dashur të zgjidhet udhëheqja e re e partisë dhe të përgatiten listat e kandidatëve tuaj për zgjedhjet. Si ka rrjedhë ky proces sipas jush?

Unë mendoj se procesi ka rrjedhë shumë mirë. Kemi pasur një Kuvend të suksesshëm zgjedhor të LDK-së, kemi pasur një kuvend në të cilin kemi reflektuar demokraci të plotë sepse e kemi bërë më zgjedhje të fshehta. Kemi pranuar rezultatet si rezultate legjitime të gjithë ne. Kemi bërë një ndryshim në lidershipin e LDK-së, jo vetëm te kryetari por ndryshim të rëndësishëm edhe në kryesinë e LDK-së dhe në Këshillin Qendror. Ndryshimet në kryesi dhe Këshill qendror arrijnë diku rreth 50 për qind, që mendoj se është një ndryshim shumë i madh për një periudhë të shkurtër kohore në të cilën ne i kemi zhvilluar zgjedhjet dhe jemi përgatitë për reformat e partisë. Gjatë kësaj periudhe kemi hartuar po ashtu edhe listën e kandidatëve tanë për deputet të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Lista është aprovuar me konsensus të plotë të Këshillit Qendror të LDK-së.

Ndërkohë ka pasur debate rreth kësaj çështjeje dhe kandidimit të njerëzve nga partia juaj. Në këtë kuadër i biri i presidentit të ndjerë të Kosovës, Ukë Rugova me listën e tij vendosi që të shkojë me Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës e jo me ju. Çfarë do të thotë kjo për LDK-në? A është kjo një ndarje e re e saj?

Nuk është ndarje. Unë kam biseduar me zotin Ukë Rugova. I kemi ofruar që ai të futet në listën tonë, sipas dëshirës së tij, do të thotë ne i kemi dhënë ofertën tonë, nuk kemi bërë kërkesë, por kemi thënë që në qoftë se është i disponimit, në qoftë se është vullneti politik dhe nëse është orientimi politik, sepse ai e ka deklaruar këtë orientim edhe më parë që të aktivizohet në LDK, atëherë vendi i tij është këtu. Ka qenë të themi, një skajim i asaj liste nga procesi zgjedhor i LDK-së sepse është kryer jashtë këtij procesi zgjedhor dhe njerëzit që janë në atë listë nuk kanë marrë pjesë në të gjitha nivelet e zgjedhjeve, kështu që nuk kemi mundur të bisedojmë lidhur me kyçjen e tyre në organet partiake, sepse ato organe kanë përfunduar më mbajtjen e Kuvendit zgjedhor të LDK-së. Por është dhënë oferta që ai të inkuadrohet në listën e deputetëve. Ai ofertën e ka mirëpritur njëherë, pastaj dje është shprehur se megjithatë i mbetet opsioni që të bisedoje edhe më tutje me ekipin me të cilin kanë punuar dhe kam marrë vesh se kanë shkuar në AAK. Unë e vlerësoj këtë si çështje të vullnetit politik, si çështje të diversitetit politik që ne domosdo duhet ta zhvillojmë edhe si konkurrencë, edhe si orientim individual si të drejtë të orientimit individual dhe nuk shoh asgjë të keqe. Zoti Rugova i ka gjithmonë dyert e hapura në LDK dhe po ashtu do të jenë dyert e hapura edhe për bashkëpunim të mëtutjeshëm.

Por familja Rugova në një reagim të publikuar dje e quajti, po e citoj, “poshtëruese” ofertën tuaj. Cila ishte qasja e Rugovës dhe pse nuk u morët vesh?

Unë mendoj se ne kemi respekt të plotë edhe si LDK, por edhe unë personalisht për familjen Rugova. Unë atë e konsideroj si një institucion shumë të rëndësishëm të Kosovës. Oferta është dhënë për deputet të Republikës së Kosovës dhe unë mendoj se qenia deputet i Republikës së Kosovës nuk ka të bëjë fare me pozitën poshtëruese , ashtu siç është shkruar shkresa. Unë edhe dyshoj që familja Rugova e ka hartuar një shkresë të tillë. Unë mendoj se shkresat po i hartojnë ata që janë infiltruar aty edhe nga subjektet tjera, por do të mbetet ajo çështje që më vonë të shihet se çfarë është. Mosmarrëveshje nuk ka pasur. Kërkesa e zotit Rugova ishte që të kyçen edhe të tjerët nga lista në listën e deputetëve. Por, vullneti jonë dhe gatishmëria jonë ka qenë që ne ta përfshijmë tani për tani zotin Ukë Rugova dhe jo të përfshijmë më shumë nga lista.

Zoti Mustafa, ka pasur edhe disa largime tjera nga partia juaj këto ditë. A po u kërcënohen ndarje të reja?

Unë mendoj jo. Nuk kemi kurrfarë kërcënimi. Unë më tepër e shoh këtë si profilizim të partisë si profilizim të LDK-së, meqenëse më këtë në një formë po profilizohemi, do të thotë, po mbesin në LDK ata që janë të përkushtuar, që janë ngushtë të lidhur me LDK-në. Ndërsa të tjerët që janë të luhatshëm po lëvizin nga LDK në subjekte tjera, ose po kërkojnë edhe oferta të tjera. Në do të zhvillojmë një profilizim të qartë të LDK-së. Ky profilizim do të bëhet edhe sa i përket adresimit ndaj programit të LDK-së dhe sa i përket adresimit ndaj elektoratit. Unë e kam paralajmëruar në mbledhjen e fundit të Këshillit Qendror të LDK-së se ne performancën e njerëzve në LDK do ta përcaktojmë në bazë të përkrahjes që ata do të marrin në këto zgjedhje.

Midis kritikëve tuaj ka pasur edhe të atillë që kanë theksuar se LDK po shndërrohet në parti rajonale. Si u përgjigjeni ju dhe a po rajonalizohet vërtetë skena politike në Kosovë?

Unë mendoj se nuk po ndodhë fare. Është më tepër një luftë politike që tashmë po zhvillohet kundër LDK-së, me qëllim që LDK-ja të loçohet të themi, në një skaj, apo në një pjesë të Kosovës. Ne kemi degë të LDK-së shumë të forta, jo vetëm në pjesën e Llapit ashtu siç thuhet, apo Gollakut. Kemi degë shumë të forta, kemi Istogun që është në qendër të Dukagjinit, që është një degë shumë e fortë e LDK-së, ku kryetari i komunës ka fituar pa balotazh. Kemi një degë shumë të fortë të LDK-së në Prizren. Kemi një degë shumë të fortë në Suharekë. Është e fortë dega e LDK-së në Rahovec. Jemi duke e konsoliduar degën e LDK-së në Pejë. Kemi arritur një konsensus të përgjithshëm të njerëzve që kanë vepruar dhe udhëheqë LDK-në në pjesë të ndryshme të komunës së Pejës. Jemi në proces të konsolidimit të degës së LDK-së në Gjakovë dhe njerëzit që e kanë shkatërruar këtë degë, ata tani kanë kaluar në listën tjetër, por ne po bëjmë maksimumin që një degë e cila ka pasur gati 90 për qind kanë qenë të LDK-së nuk ka pasur arsye që të bjerë në 5 apo 6 për qind, sepse potenciali ekziston, vullneti i njerëzve ekziston dhe ne do ta rikthejmë atë gjendje.

Thatë se është luftë kundër LDK-së. Kush po e udhëheqë këtë luftë?

Po, natyrisht se jemi tani në procesin e zgjedhjeve, kemi një rivalitet të fortë. Është një rivalitet që në jetën politike sikurse në jetën ekonomike është i arsyeshëm. Kemi të bëjmë edhe me fushatën mediale, sepse një pjesë e madhe e medieve gjendet në duart e PDK-së, apo influencohet nga Partia Demokratike, kështu që këtu nuk shoh asgjë të keqe apo asgjë që nuk ndodhë, sepse gjërat ndodhin, por ne natyrisht duhet të jemi të pavarur të zhvillojmë orientimin tonë dhe unë mendoj se do të arrijmë të konsolidojmë tërësisht rrjetin e LDK-së në tërë territorin e Kosovës. LDK-ja kurrë nuk mund të regjionalizohet sepse LDK-ja ka lindë në tërë Kosovën dhe në tërë Kosovën do të zhvillohet.

Jeni identifikuar si kundërshtari kryesor i koalicionit të deritashëm qeverisës. Nga ana tjetër edhe partitë tjera që i keni cilësuar më të afërta me ju, tashmë kanë marrë një kurs tjetër politik. Kush mund të jenë partnerët tuaj pas zgjedhjeve, nëse ju ta zëmë i fitoni ato?

Unë vlerësoj se partnerët mund të jenë ata që kanë programe të ngjashme me LDK-në që janë kryesisht të qendrës së djathtë. Por natyrisht se të themi në këtë lëvizje para zgjedhjeve çdo njëri po dëshiron të rikonsolidohet, të kërkojë sa më shumë aleanca, të mbledhë sa më shumë rreth vetes. Mua kjo totalisht nuk më pengon, sepse është fjala për rigrupime që ndodhin para zgjedhjeve. Më mirë që rigrupimet të bëhen para fushatës sesa të bëhen pastaj kur njerëzit zgjidhen dhe të bëhet kalimi nga një subjekt në subjektin tjetër. Unë shoh mundësi të mirë të bashkëpunimit me të gjithë, të themi edhe PDK-në edhe me të tjerët, por jo mundësi të koalicionit, sepse një koalicion me PDK-në nuk do të ishte në interes të Kosovës në të ardhmen, për arsye se do të ngulfatej demokracia në Kosovë, sepse do të jenë dy parti që duhet të dalin prapë si parti të mëdha. Ne insistojmë dhe do të punojmë që si objektiv ta kemi që ne t’i fitojmë zgjedhjet dhe të jemi partia e parë. Mirëpo, natyrisht, çdo gjë do të varet nga besimi që do të marrë nga qytetarët dhe nga rregullsia e zgjedhjeve. Në anën tjetër shoh edhe mundësi të bashkëpunimit me AAK-në, me FER-in dhe me subjekte të tjera me të cilat kemi një afërsi programore.

Por e përjashtoni PDK-në?

E përjashtoj në këtë rast dhe mendoj se do të ishte i dëmshëm një koalicion i tillë, jo për çfarë ka ndodhur në të kaluarën, por për shkak të asaj se nuk duhet të ndodhë në të ardhmen, sepse vërtetë vlerësojë se kjo nuk do të ishte në dobi të qeverisjes së mirë. Nuk do të ishte në dobi të demokracisë dhe nuk do të ishte edhe në dobi të LDK-së duke pasur parasysh se unë konsideroj që qeverisja e kaluar ka qenë një qeverisje që nuk i është dashtë Kosovës, mos ta cilësoj tani ndryshe sepse jemi para fushatës, mirëpo vlerësoj se një gjë të tillë ne nuk duhet ta përsërisim.

Por, a jeni të gatshëm të merrni përgjegjësitë e forcës suaj politike, sepse ajo ishte pjesë e këtij koalicioni?

Gjithsesi, gjithsesi. Ne do të analizojmë këtë. Do të shohim se ku kemi bërë lëshime, cilat janë gabimet e LDK-së në atë qeverisje, si ne duhet t'i korrigjojmë ato në mënyrë që në partneritetet e ardhshme politike të mos bëjmë lëshime të tilla. Unë jam koshient, se ne jemi në një fazë themi fillestare të tranzicionit, jo vetëm ekonomik por edhe të tranzicionit politik sepse mungojnë përvojat mungojnë edhe themi saktësimet e raporteve të partnerëve në procesin e koalicionit dhe përmbajtja apo përmbushja e obligimeve të cilat merren nga partnerët në koalicion dhe kjo ka ndodh edhe te LDK-ja, pa barazitë e partnerëve siç ka ndodhur këtu te ndarja e ministrive, e buxhetit, e pozitave në menaxhimi ne kompanive publike dhe një gjë e tillë nuk është e mirë të ndodh të ardhmen sepse ajo do të ndikoj që fund të kemi një shtet një partiak ashtu siç na ka mbet Kosova tani deri në zgjedhje.

Ku e shihni zotin Mustafa pas zgjedhjeve, në krye të Prishtinës, apo diku tjetër?

Unë do të dëshiroja t’i fitojmë zgjedhjet si Lidhje Demokratike, do të dëshiroja po ashtu që gjatë kësaj fushate të identifikojmë edhe njerëzit të cilët do të jenë në gjendje të bartin përgjegjësinë në krye të sektorëve të ndryshme apo ministrive të ardhshme, edhe të kryeministrisë sepse ne në qoftë se i fitojmë zgjedhjet ne nuk do t'ia lëmë askujt që të bëhet kryeministër për pos kandidatit nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Unë më tepër jam për ekipe, për mundësinë e zgjedhjes edhe të njerëzve të tjerë për kryeministër të Republikës së Kosovës, prandaj në qoftë se ne bëjmë zgjidhje adekuate unë më shumë do të dëshiroja që ta shoh veten në vazhdimin e punëve në Prishtinë, ndërkaq të shoh kryeministrinë apo qeverinë e Republikës së Kosovës nën udhëheqjen e Lidhjes Demokratike por me kuadro tjera sepse vlerësoj që ne duhet ta diversifikojmë edhe angazhimin politik dhe angazhimin qeveritar të njerëzve nga LDK-ja dhe duhet të gjejmë njerëz, sepse njerëz ka që të qeverisin mirë Kosovën.

VOA

KOMENTE