English

Kryeministri thotë se Piramida e Enver Hoxhës do të shkatërrohet

Tiranë, 11 Nëntor 2010 NOA – Kryeministri Sali Berisha siguroi sonte se Qeveria që ai drejton është e vendosur të realizojë shkatërrimin e plotë të ish-Piramidës së Enver Hoxhës me qëllim ndërtimin atje, të Parlamentit të ri dhe kompleksit parlamentar.

Duke folur në një intervistë për Tv Klan me gazetarin Blendi Fevziu në “Opinion”, Duke e cilësuar piramidën si mauzoleu i Enver Hoxhës, Berisha shprehu bindjen se “mbrojtja që i bën Edi Rama, është ideologjike dhe nostalgjike, për hir të atit të tij shpirtëror”.

I pyetur: A jeni i vendosur ta prishni ish-piramidën, Berisha tha: “Absolutisht po. Sapo të bëhet projekti”.

Kurse përsa i përket referendumit të sugjeruar këto ditë, Berisha tha se “referendumi i fyen shqiptarët” dhe shtoi: “Ti pyesësh a duhet ne të mbajmë mauzoleun e Enver Hoxhës, është fyerja më e madhe që mund të ndodhë. Enver Hoxha për Evropën është vlerësuar në vitin 1991, si Hitleri. Ai luftëra nuk bëri, por me burgje shkatërroi kombin e tij më shumë se kushdo”.

Gjithsesi më tej, Berisha tha se ky vendim shkakun më themelor e ka ekonomik dhe shtoi:

“Janë disa probleme që kërkojnë zgjidhje në Shqipëri dhe në Tiranë sidomos. Ndër to është Parlamenti. Aktualisht godina është e papërshtatshme, ne kemi të ndarë sallën e seancave dhe atë të komisioneve. Ndërkohë që gjatë një viti, kryetarja e Gjykatës së Lartë, më ka faktuar, se situata logjistike hapësira për këtë institucion, është e papranueshme”.

Këtu Berisha theksoi se është në detyrën e qeverisë, të garantojë buxhet dhe fonde për funksionim normal dhe shtoi se në këtë kontekst, “nisëm punën për të bërë vend për Gjykatën e Lartë dhe u përcaktua zona, midis Hotel Dajtit dhe katedrales”.

Kryeministri tha se në projektin e parë, kushtonte 40 milionë euro parlamenti, me një strukturë me domethënie të pranueshme për një parlament, nërkohë që mbi 30 milionë euro kushtonte ndërtimi i Gjykatës së Lartë, bashkë me tokën dhe vendin duke e çuar shifrën në 70 milionë euro.

Këtu Berisha evidentoi se Parlamenti i ri tek ish-piramida, ndërtohet me 40 milionë euro, pra kursehet nga buxheti i shqiptarëve, 30 milionë euro.

“Kështu zgjidhet çështja e Parlamentit, Gjykatës së Lartë, zgjidhet dhe Teatri Kombëtar, që merr një nga sallat më prestigjioze”, - tha Berisha duke siguruar se “kjo është rruga më e mirë për ti kursyer shqiptarëve së paku 30 milionë taksa”.

e.r/NOA

KOMENTE