Tiranë, 11 nëntor, NOA – Si pasojë e përmbytjeve në veri të vendit, por jo vetëm, ministria e Punëve Publike dhe Transportit njofton të gjithë përdoruesit e mjeteve rrugore, se si pasojë e rreshjeve të shumta të shiut në pjesën Qendrore dhe Veriore të vendit, situata në disa akse rrugore paraqitet si më poshtë:
Në aksin rrugor Shkodër - Hani i Hotit, midis komunës Bajzë dhe Doganës, rruga është e bllokuar për mjetet e tonazhit të rëndë. Ka filluar vendosja e tubacioneve metalik për të berë të mundur kalimin e trafikut.
Në Aksi Koplik – Bogë, ura mbi Përroin e Thatë është shembur.
Në rrugën Nacionale Shkoder – Lezhe, tek Harku i Berdicës, lartësia e ujit ka arritur 70 cm mbi nivelin e rrugës. Qarkullimi është i mundur vetëm për mjetet e larta, mjetet e uleta qarkullojnë nga rrugët lokale.
Në Aksin Qafe Mali – Fierzë, qarkullimi kryhet me një kalim.
Në aksin Sopot - Ura e Bujanit, rruga është e bllokuar si pasojë e dëmtimit që ka pësuar shpatulla e urës. Qarkullimi kryhet nga Ura e Valbonës vetëm për mjetet e vogla.
Në aksin Qaf Buall - Suc, ka pasur shkarje të skarpatës, aktualisht rruga është e zbllokuar me ndërhyrjen e drejtorisë rajonale të rrugëve.
Në Urën e Matit, niveli i ujit eshte 50 cm mbi urë si pasojë e fryrjes së lumit, qarkullimi i mjeteve kryhet me vështirësi në prezencë të forcave të Policisë.
Në Aksin Klos – Burrel, si pasojë e reshjeve të shumta, ka sasi te konsiderueshme uji mbi trupin e rrugës, qarkullimi kryhet me vështirësi.
Në autostradën Tiranë – Durrës, zona Marikaj dhe Maminas ka prezencë uji në trupin e rrugës, qarkullimi kryet me shpejtësi të kufizuar.
Në aksin Fier – Fratar, mbetet problem aktivizimi i shëmbjeve dhe rrëshqitjeve. Qarkullimi i mjeteve kryehet me vërshtirësi, në këtë pjesë të rrugës është vendosur sinjalistika përkatëse.
Ministria e Punëve Publike dhe Transportit bën të ditur se sapo niveli ujit të ulet në kuotat normale, do të fillojnë punimet për riparimin dhe për bërjen funksionale të këtij aksi rrugor.
mit/NOA