English

Pasqyra e Shtypit, 11 Nëntor 2010

Tiranë, 11 Nëntor, NOA - Në këtë hapësirë gjendet një pasqyrë e titujve të gazetave në Tiranë, për ditën e Enjte, 11 Nëntor 2010. Ky është një shërbim që ofrohet me parapagim nga agjencia e Lajmeve NOA, në shqip, anglisht, italisht e greqisht.

Mundësia e parapagimit aktualisht ofrohet përmes abonimit dhe së shpejti, edhe përmes pagesës së shërbimit direkt me anë të kartës së kreditit. Për t’u abonuar në këtë shërbim dhe për t’u pajisur me një emër përdoruesi dhe kodin, dërgoni një kërkesë në adresën e E-mail: info@noa.al.

Gazetat shqiptare kanë si argument kryesor të ditës së sotme deklaratat e bëra dje nga komisionari evropian për Zgjerimin, Stefan Fyle se BE nuk e refuzoi Shqipërinë lidhur me vizat apo statusin. Ato paraqesin edhe vendimin e fundit të qeverisë, për uljen e pensioneve të ushtarakëve. Ndërkaq, një argument tjetër i të përditshmeve sot është edhe ai i prishjes së Piramidës, ku citohet të flasë deputeti demokrat, Gazmend Oketa kundër kësaj.

E përditshmja “Shekulli” ka si argument kryesor të ditës “Ushtarakët, ulen 24.5% pensionet”, i cili citon faktin sesi qeveria mori dje një vendim për uljen e pensioneve të ushtarakëve.

Një artikull tjetër i kësaj gazete është ai me titullin “Masterat, miratohen edhe 1744 kuota”, referuar një tjetër vendimi të qeverisë.

“Oketa: Jam kundër prishjes së Piramidës, do ndihesha kokulur para kolegëve”, është një artikull që citon të flasë deputetin demokrat, Gazmend Oketa.

“Reportazh/ Si ndihen emigrantët e rikthyer pas shumë vitesh në Shqipëri” është një artikull tjetër që do lexoni në këtë gazetë.

Gazeta “Panorama” publikon si artikullin e saj kryesor ditën e sotme atë me titullin “Ulen pensionet/ Qeveria ndryshon ligjin e ushtarakëve”, i cili tregon detaje nga vendimi i fundit i qeverisë, për uljen e pensioneve të ushtarakëve.

Një artikull tjetër i kësaj gazete është edhe ai me titullin “Gazmend Oketa: Si inxhinier jam kundër shembjes së Piramidës, afrimi me Nanon po na ul imazhin”.

Ndërkaq, në këtë të përditshme do të gjeni edhe artikullin me titullin “Në Kashar/ Makina godet për vdekje policin”.

Artikull tjetër i kësaj gazete për kulturën, është edhe ai me titullin “Opinion nga Arben Kumbaro/ Vërejtje për ligjin mbi artin dhe kulturën”.

“Gazeta Shqiptare” ka si titull kryesor të saj “Berisha: BE, e pasaktë/ SHBA: Nxënës të këqij”, i cili tregon reagimin e kryeministrit Berisha mbi progres-raportin e Be dhe atë të SHBA se nxënësi ankohet për mësuesin kur i vë notë të keqe.

“Paskal Milo: Korfuzi, Hoxha ra dakord të minonte bregdetin me Titon dhe Moskën”, është një artikull tjetër i kësaj të përditshmeje.

Ndërsa në një artikull të veçantë në këtë të përditshme do të lexoni atë me titull “Arkitekti Enver Paja: Rrëzova bustin e Enver Hoxhës në ’90, s’do prekja Piramidën”.

Gazeta “Shqip” hapet me titullin kryesor “Rama kërkon shpërndarjen e Kuvendit”, i cili tregon sesi kreu i PS ka pohuar dje që Kuvendi duhet të shpërndahet dhe të zgjidhet ai i ri me votat e vërteta të sovranit, sipas tij.

Një artikull tjetër i kësaj gazete është ai me titullin “Celulari tradhton grabitësin e gjykatësit”.

Ndërsa çështja e vrasjes së një polici dje mbërrin në numrin e sotëm të kësaj gazete përmes artikullit “Shpejtësia e madhe vret policin, drejtonte njësinë e qarkullimit”.

“Aksidenti i Fratarit/ Ekspertët sërish në vendngjarje: Faji i shoferit” është një artikull tjetër që do lexoni në këtë gazetë.

E përditshmja “Koha Jonë” hapet me titullin kryesor “Fyle: Statusi, KE nuk i tha JO Shqipërisë”, i cili i referohet deklaratës së komisionerit evropian për Zgjerimin, Stefan Fyle se BE nuk e refuzoi Shqipërinë lidhur me vizat apo statusin.

Artikull tjetër i kësaj gazete është edhe ai me titullin “Fratini: Vizat i merituat, tani gati për anëtarësim”.

Një artikull i veçantë i kësaj gazete është edhe ai me titullin “Arsim/ Masterat shtohen 4 mijë kuota”.

Ndërsa në rubrikën “kulturë” do të lexoni “Çelet Panairi i Librit ‘Tirana 2010’, risitë e evenimentit”.

n.e/NOA

KOMENTE