English

Përmbytjet në Malësinë e Madhe, Emergjenca civile: Situata po kontrollohet

Shkodër, 11 nëntor, NOA – Situata e rënduar e reshjeve të shiut në veri të vendit ka sjellë përmbytjen e tokave bujqësore dhe të disa shtëpive si dhe dëmtime në infrastrukturë.

Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile bën një pasqyrë mbi situatën e krijuar ku rezulton se për shkak të prurjeve të shumta ujore të lumenjve dhe përrenjve ka patur përmbytje të tokave bujqësore në disa rrethe, prezencë uji në shtëpi banimi dhe dëmtime në infrastrukturë.

Qarku Shkodër

Në komunën Kastrat, Malësi e Madhe ka prezencë uji në 80 banesa, janë evakuuar 10 familje.

Në komunën Qendër Koplik për shkak të daljes nga shtrati të Përroit të Thatë ka prezencë uji në 40 banesa të fshatit Kamicë, janë evakuuar 24 familje.

Prezencë uji ka në fshatin Kuç, komuna Gur i Zi, si dhe në lagjen Ajasëm të Bashkisë Shkodër.

Në fshatin Obot, komuna Ana e Malit, kalueshmëria bëhet me mjete të larta, si pasojë e prezencës së ujit.

Qarku Lezhë.

Në këtë qark rezulton të jetë e përmbytur 400 ha sipërfaqe toke bujqësore.

Qarku Durrës.

Në Fushë Krujë ka prezencë uji në rreth 250 banesa. Po kështu ka prezencë uji në rreth 1000 ha tokë bujqësore.

Sipas Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile janë marrë masat për të përballuar situatën e krijuar në këto qarqe dhe në qarqe të tjera të vendit ku mund të paraqiten probleme.

Strukturat e Ministrisë së Brendshme në qendër dhe në bazë bëhet e ditur se kanë koordinuar punën me strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes, të Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit, të Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, si dhe me institucione të tjera qendrore dhe rajonale.

Në terren për t’u ardhur në ndihmë banorëve janë angazhuar efektiva të policisë së rendit, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe efektiva të Forcave të Armatosura.

Mësohet se janë shpërndarë rreth 25 mijë thasë rëre për t’u vendosur në argjinatura me qëllim mbrojtjen e tyre.

Situata po monitorohet dhe menaxhohet drejtpërdrejt në terren nga drejtuesit më të lartë të Emergjencave Civile.

mit/NOA
KOMENTE