English

Policia flet për protestën: Prangosen 13 vetë, bllokuan rrugën kundërshtuan policinë

Vlorë, 11 nëntor, NOA - Pas përleshjes me gurë e sende të forta të banorëve të Orikumit dhe Dukatit me policinë e Vlorës gjatë bllokimit të rrugës përmes protestës në urën e Izvorit në Orikum, policia e Vlorës e cilësoi ngjarjen të paligjshme, dhe ka vënë në pranga 13 shtetas, ndërsa janë shpallur në kërkim 4 të tjerë.

Të arrestuarit janë:

1-Azem Ramadan Vangjeli, vjeç 39, lindur dhe banues në fshatin Dukat të rrethit Vlorë. 2-Berdo Jaho Bedaj, vjeç 42, lindur dhe banues në fshatin Dukat të rrethit Vlorë.

3-Nuro Maliq Kulluari, vjeç 75, lindur në fshatin Dukat të rrethit Vlorë .

4-Eltjon Tare Dervishaliu, vjeç 22, lindur dhe banues në fshatin Dukat i Ri, të rrethit Vlorë.

5-Sokrat Taqo Gjikoka, vjeç 54, lindur në fshatin Dukat dhe banues në qytetin e Vlorës.

6-Kujtim Jaho Berdo, vjeç 47, lindur dhe banues në fshatin Dukat i Ri.

7-Krenar Jorgaq Kazheli, vjeç 36, lindur dhe banues në Orikum të rrethit Vlorë.

8-Musa Mete Xhebraj, vjeç 27, lindur dhe banues në fshatin Dukat të rrethit Vlorë.

9-Pelivan Mehmet Ibroj, vjeç 48, lindur në Vlorë dhe banues në Orikum.

10-D.H., vjeç 16, lindur dhe banues në fshatin Dukat të rrethit Vlorë.

11-Edmond Nuro Kulluri, vjeç 41, lindur dhe banues në fshatin Dukat të rrethit Vlorë.

12-Albert Qazim Hibroj, vjeç 39, lindur dhe banues në Orikum të rrethit Vlorë.

13-Jorgaq Qiric Kazheli, vjeç 54, lindur në fshatin Palasë të rrethit Vlorë, banues në orikum Vlorë.

Të 13 të arrestuarit akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me persona të tjerë të fshatrave Dukat dhe Orikum kanë kryer veprat penale të:

“Organizimit, grumbullimit dhe manifestimit të paligjshëm”,

“Pengimin e qarkullimit të mjeteve”,

“Kundërshtim me dhunë të punonjësit të policisë së rendit publik”

“Goditjen për shkak të detyrës”,

Prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve, municioneve dhe lëndëve plasëse”,

vepra penale këto të parashikuara nga nenet 262/2, 237, 293 , 262 ,278/1 e 25 të Kodit Penal.

Policia e Vlorës sqaroi se organizimi i tubimit u bë rreth orës 07:30’ – 08:00’, të 11 nëntorit, pikërisht në vendin e quajtur ura e “Izvorit” në hyrje të Orikumit përgjatë rrugës nacionale Vlorë – Llogara.

Sipas policisë protestuesit midis të cilëve dhe personat e mësipërm kanë tentuar të bllokojnë rrugën nacionale Vlorë – Llogara, dhe kanë kryer veprime konkrete duke kundërshtuar punonjësit e Policisë, si dhe qëlluar me gurë e sende të tjera të forta ndaj tyre.

Policia e Vlorës e gjendur përpara kësaj situate ka ndërhyrë forcërisht duke bërë të mundur zhbllokimin e rrugës dhe shoqëruar në komisariat 13 personat e mësipërm.

Në cilësinë e provës materiale, protestuesve u janë sekuestruar edhe 41 shishe (bomba molotov), të cilat u morën për ekzaminime të mëtejshme, si dhe një mjet tip fouristradë.

Gjithashtu rreth orës 10:30’ të ditës së sotme nga ana e protestuesve ka pasur një tentativë tjetër për bllokim të rrugës nacionale në afërsi të fshatit Dukat, ku me ndërhyrjen e policisë nuk është lejuar bllokimi i rrugës.

Ndërkaq, mësohet se drejtoria e Policisë së Qarkut Vlorë, ka shpallur dhe 4 persona të tjerë në kërkim dhe po punohet për kapjen e tyre si bashkautorë në kryerjen e veprave penale të mësipërme.

Drejtoria e Policisë së Qarkut Vlorë i bën thirrje banorëve të këtij komuniteti që problemet e tyre t’i zgjidhin në rrugë ligjore, duke u distancuar nga veprimet e kundraligjshme të bllokimit të rrugëve, apo veprime të tjera të dhunshme, pasi mbi këdo do të veprojë forca e ligjit dhe nuk do të lejohet për asnjë moment cenimi i rendit dhe qetësisë publike.

Banorët e Orikumit dhe Dukatit protestuan sot për zgjidhjen e çështjes së pronave të tyre që mbahet peng nga ligji 7501 i pronës.

mit/NOA
KOMENTE