Tiranë, 11 nëntor, NOA – Programi i Përbashkët i Kombeve të Bashkuara “Trashëgimia dhe Kultura për Zhvillimin Social and Ekonomik” në bashkëpunim me ministrinë e Kulturës, shpallën sot Dokumentin Strategjik të Marketingut Kulturor, planin e veprimit për zbatimin e tij dhe disa mekanizma të reja të marketingut të hartuara kohët e fundit.
Përgatitur nga Tourism Development International (TDI), një grup konsulence irlandeze, dokumenti synon të projektojë Shqipërinë në arenën ndërkombëtare si një vend me një pasuri të jashtëzakonshme sa i përket vlerave kulturore dhe potencialit turistik.
Konferenca mblodhi përfaqësues të qeverisë, Kombeve të Bashkuara, profesionistë vendas të trashëgimisë kulturore dhe donatorë të huaj të përfshirë në çështjet e kulturës, trashëgimisë dhe turizmit në Shqipëri.
Gjatë fjalës së tij në këtë konferencë, kryeministri Berisha tha se përbën një çështje jashtëzakonisht të rëndësishme marketingu dhe promovimi i thesareve të mëdha kulturore të kombit dhe vendit tonë.
Duke u shprehur shumë mirënjohës për këtë nismë, kryeministri Berisha theksoi se qeveria është thellësisht e interesuar për ruajtjen, zbulimin e mëtejshëm dhe natyrisht marketingun sa më të mire të trashëgimive të saj kulturore, në interesin më të madh të zhvillimit ekonomik dhe kulturor të Shqipërisë.
n.e/NOA