English

Protesta në Orikum, Basha: Policia po zbaton ligjin

Tiranë, 11 nëntor, NOA – Deputetët e Partisë Socialiste i kanë bërë apel ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha në parlament që policia të mos dhunojë banorët e Orikumit dhe Dukatit, të cilët kërkojnë të drejtën mbi pronën e tyre.

Përleshja e banorëve të Orikumit dhe Dukatit me forcat e policisë nisi që në orët e para të mëngjesit, ku banorët kanë protestuar rishtas për zgjidhjen e çështjes së pronave të tyre.

Banorët të pajisur me mjete të forta, hekura dhe gurë bllokuan që herët urën e Orikumin dhe më pas nisën të qëllonin me gurë uniformat blu.

Pas ndërhyrjes së policisë për zhbllokimin e rrugës, banorët e kanë ashpërsuar qëndrimin e tyre, ndërsa dhjetë prej tyre mësohet se janë shoqëruar në polici, dhe dy të tjerë janë shtruar në spital për shkak të goditjeve.

Tensioni i përleshjes në Orikum ka ndezur edhe debatin në sallën e kuvendit, ku deputeti socialist Saimir Tahiri i ka kërkuar shpjegime ministrit Basha për ngjarjen në fjalë dhe përleshjen me forcat e rendit.

Por, ministri i Brendshëm Lulzim Basha mori fjalën në kuvend në një reagim të shkurtër ku ai i doli në mbrojtje forcave të rendit, duke theksuar se policia po kryen detyrën e saj në zbatim të ligjeve.

Basha i bëri apel socialistëve të mos bëjnë presion ndaj policisë së shtetit, duke siguruar se uniformat blu janë të vendosura të shpartallojnë krimin.

Banorët e Orikumit dhe Dukatit kanë protestuar shumë herë për zgjidhjen e @ështjeve të pronave të tyre, që sikundër thonë ata është ligji 7501 mbi pronën private ai që mban peng zgjidhjen.

mit/NOA
KOMENTE