English

PS: Parlamenti po shkel kushtetutën, s’mund të pezullohet votimi i dekreteve të Presidentit

Tiranë, 11 nëntor, NOA – Kërkesa për pezullimin e votimit të dekreteve të Presidentit për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese ka nxitur debate në sallën e kuvendit, ku deputetja e Partisë Socialiste, Vasilika Hysi deklaroi nga foltorja e kuvendit, se parlamenti po shkel kushtetutën dhe rregulloren e tij duke dashur të votojë kërkesën për pezullimin e votimit të dekreteve.

Hysi i bëri thirrje mazhorancës të mos votojë kërkesën për pezullimin e votimit të dekreteve pasi ky është një precedent i dënueshëm, që tregon se parlamenti nuk po zbaton Kushtetutën.

“Ky veprim cënon rëndë kushtetutën e vendit, që nënvizon se Presidenti zgjedh anëtarët e GJK-së dhe Kuvendi i voton, por me ç’ duket ju nuk i pëlqeni kandidatët që zgjedh kreu i shtetit”, tha deputetja socialiste.

Zonja Hysi tha se opozita ka qenë aktive në Komisionin e Ligjeve gjatë marrjes në pyetje të kandidatëve të Presidentit për Gjykatën e Lartë dhe Kushtetuese, porse ajo ka ngritur shqetësimin se deputetët e mazhorancës në komisionin e Ligjeve u kanë drejtuar deri edhe pyetje antikushtetuese, ku nuk u kërkohej të shpjegonin punën e tyre si juristë, por pyetjet i përngjanin luftës së klasave në epokën e diktaturës.

Hysi vlerësoi se është e drejtë që deputetët e mazhorancës mund të drejtojnë kërkesa ndaj Gjykatës Kushtetuese, por jo të ndërpritet procesi i votimit të dekreteve për anëtarët e rinj të GJK-së.

“Ne nuk mund ta pezullojmë procesin e votimit të dekreteve të Presidentit pasi kështu Parlamenti po del mbi Presidentin e vendit dhe ky veprim i sotëm bie ndesh edhe me raportin e KE-së, pasi prekja dhe cënimi që po i bëhet Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë do të jetë shumë i dëmshëm dhe ka për qëllim cënimin e institucioneve”, tha Hysi duke kujtuar edhe debatin e madh që lindi më parë për ligjin e Lustracionit i kundërshtuar edhe nga Komisioni i Venecias.

Sipas saj, sot parlamenti po cënon integritetin moral të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i kryeministrit Sali Berisha, i cili u doli në mbrojtje deputetëve të tij, duke theksuar se mazhoranca është kundër vënies së emrave të inkriminuar në kohën e diktaturës në krye të Gjykatës Kushtetuese dhe të Lartë, duke bërë thirrje që në këto institucione të hyjnë juristë të rinj të formuar në vitet e demokracisë.

mit/NOA
KOMENTE