English

Shoqata për autonomi vendore: Projektligji dhunon autonominë e bashkive e komunave

Tiranë, 11 nëntor, NOA, Update - Shoqata për Autonominë Vendore ka protestuar sot para godinës së Parlamentit të Shqipërisë, duke ngritur zërin mbi masat e fundit të ndërmarra nga qeveria, duke e denoncuar sulmin më të fundit të qeverisë Berisha kundër qeverive vendore, një sulm, që dhunon kushtetutën dhe autonominë vendore në Shqipëri dhe synon t’i çojë në falimentim bashkitë dhe komunat e drejtuara nga opozita.

Projekt-ligji mbi ndryshimet në ligjin për taksat vendore, synon t’u hedhë në kurriz qeverive vendore barrën financiare të korrupsionit me kasat fiskale.

Sipas shoqatës për Autonominë Vendore nëse miratohet ky projekt-ligj, do të rrënojë buxhetet e bashkive dhe komunave, duke u shkaktuar atyre rreth 90% humbje në të ardhurat e veta.

Në disa bashki humbjet në buxhetin vendor do të arrijnë deri në 140%.

Krerët bashkiakë të qyteteve kryesore si Durrësi, Elbasani, Korça, Fieri, Puka, Pogradeci, etj ngritën me forcë zërin e tyre, në mbrojtje të investimeve të përbashkëta, në mbrojtje të kontributeve të komunitetit, në funksion të zhvillimit të qyteteve në vend, duke sjellë njëkohësisht shembuj konkretë të cënimit, që u bëhet njësive të qeverisjes vendore, andaj sipas tyre ky është një rast flagrant, ku korrupsioni që ka mbërthyer pushtetin aktual, prek drejtpërsëdrejti shërbimet që pushteti vendor u ofron qytetarëve.

Gjatë fjalës së tij në këtë protestë, Kryebashkiaku Rama theksoi se e gjithë kjo furi e fundit, nisi në momentin kur Sali Berisha ndjeu se i rrezikohej fitimi i parashikuar nga korrupsioni me kasat fiskale, kur tregtarët e Medresesë u ngritën në protestë, për ta refuzuar imponimin e këtyre kasave, me çmime të larta si askund tjetër dhe në një formë si asnjëherë më të dukshme e të prekshme korrupsioni për përfitimet e një njeriu të vetëm që në këtë rast është Kryeministri i Shqipërisë.

mit/NOA
KOMENTE