Tiranë, 11 nëntor, NOA – Sali Berisha e ka mbështetur propagandën e tij, (që s’mund ta quaj as komuniste, as talebane, por “salibane”, propagandën “salibane”), tek lehtësimi i pandalshëm i barrës fiskale të qytetarëve, tek ulja e pandalshme e taksave. Ky është në fakt edhe abuzimi më i madh me të vërtetën, kjo është në fakt edhe e pavërteta më e madhe e shoqërisë shqiptar.
Është momenti për të qenë të gjithë të qartë dhe të një mendjeje, se me Sali Berishën dhe me këtë qeveri votash të vjedhura kutish të mbyllura dhe krimi e korrupsioni në rritje, ne nuk kemi të ardhme, Shqipëria nuk ka të ardhme dhe askush që kërkon të jetojë në këtë vend dhe ta jetojë jetën e vet në këtë vend me punë të ndershme, nuk ka të ardhme....
Nga Edi Rama
Në emër të të gjithëve, unë dua të ngre sot zërin e protestës, se si e gjithë kjo furi e fundit, nisi në momentin kur Sali Berisha ndjeu se i rrezikohej fitimi i parashikuar nga korrupsioni me kasat fiskale, kur tregtarët e Medresesë u ngritën në protestë, për ta refuzuar imponimin e këtyre kasave, me çmime të larta si askund tjetër dhe në një formë si asnjëherë më të dukshme e të prekshme korrupsioni për përfitimet e një njeriu të vetëm që në këtë rast është Kryeministri i Shqipërisë, i cili e ka denigruar këtë proces korrupsioni, i cili ka përcaktuar kompanitë që shesin këto kasa fiskale dhe i cili nuk heq dot dorë nga fitimi i parashikuar, duke arritur deri në atë që askush nuk mund ta përfytyronte, të grabisë taksat e qyteteve e komunave, për të mos lejuar që asnjë qindarkë e fitimit të parashikuar të humbasë, por në fakt, - Çfarë është kjo grabitje dhe kush dëmtohet nga kjo grabitje?
Në emër të lehtësimit të biznesit, Sali Berisha në fakt ka bërë shumë të pabëra, duke filluar nga mbingarkimi i biznesit, të cilit po i thotë përditë se po i ul taksën, por të cilin e ka rënduar përditë, për të ardhur tek një barrë e trefishtë fiskale sot.
Një kolegu im solli këtu në vëmendjen tuaj përgjysmimin e taksës së biznesit në vitit 2005 nga Sali Berisha, me t’u ulur në karrigen e Kryeministrit, asokohe së paku me vota të marra dhe jo me vota të vjedhura, siç është ulur sot e një vit e kusur më parë.
Përgjysmoi taksën e biznesit të vogël, në emër të lehtësimit të biznesit dhe u premtoi bashkive kompensimin e humbjes kolosale që ato patën nga përgjysmimi i kësaj takse dhe kjo humbje kolosale, nuk është një humbje për kryetarët e bashkive, nuk është një humbje as për punonjësit e bashkive, por është një humbje për qytetarët e bashkive dhe komunave, që përkthehet në më pak investime, në më pak shërbime, por ajo që ndodhi është se pas përgjysmimit të taksës, erdhi rëndimi i barrës fiskale, me tatim-fitimin, me tvsh dhe së fundmi ky rëndim i barrës fiskale po prek edhe bizneset më të vogla fare, të cilat do të jenë të detyruara të mbyllin dyert, ose të rrisin çmimet, pra nuk fiton biznesi nga kjo masë, sepse ndërkohë që lekët e kasave Sali Berisha u thotë se nuk do ua marrë drejtpërdrejt nga xhepi, por do ua marrë nga taksat që ata paguajnë për qytetin e tyre, për veten e familjet e tyre dhe për të gjithë komunitetin e tyre, i rëndon me një rritje të barrës fiskale, duke u vendosur tvsh-në deri në kufirin e poshtëm të 20 milionë lekëve të vjetra.
Nga ana tjetër, nga kjo masë humbet i tërë qyteti, humbasin të tëra komunitetet.
Këtu, kolegët sollën në vëmendje se si përkthehet në shifra kjo humbje, se si cënohet drejtpërdrejt shërbimi i pastrimit, shërbimi i ndriçimit, se si cënohet shërbimi në tërësi i njësisë të qeverisjes vendore dhe se si asfiksohen investimet për qytetarët.
Pra humbasin sipërmarrësit, qytetarët, bashkitë dhe komunat, humbet edhe qeveria, si qeveri e vendit dhe qytetarëve, por fiton Sali Berisha dhe pushteti i tij i oborrtarve, i cili fut në arkën e fitimeve të tij të paligjshme, edhe një masë parash që vijnë si askund, si asnjëherë dhe si në asnjë rast në botë, nga një vepër korruptive që bazohet nga grabitja e drejtpërdrejtë e taksave, tek grabitja me një ligj të shkruar arbitrarisht e taksave, tek grabitja në formë të pacipë, të papërmbajtshme, të paimagjinueshme e taksave.
Merren taksat të cilat janë të dedikuara, qysh se ka lindur kjo formë e kontributit për njeriun, për shoqërinë dhe futen në xhep nga Kryeministri i vendit, futen në xhep nga Sali Berisha, futen në xhep nga njeriu i cili i shkaktoi Shqipërisë dështimin më të madh në historinë e integrimit, duke parë t’i përplaset në sy dera për statusin e kandidatit, që Shqipëria dhe shqiptarët e meritojnë prej kohësh, por që sot fatkeqësisht u bënë i pari vend dhe i pari rast në historinë e integrimit, që Bashkimi Evropian i refuzon statusin e kandidatit, për arsye të keqqeverisjes, për arsye të krimit, për arsye të korrupsionit, për arsye të cënimit të drejtësisë, për arsye të cënimit të mediave, për arsye të një krize politike që i ka rrënjët tek votat e vjedhura dhe kutitë e mbyllura, për arsye të një qeverisjeje që mes standarteve evropiane dhe përfitimeve të paligjshme, ka zgjedhur përfundimisht përfitimet e paligjshme.
Sali Berisha e ka mbështetur propagandën e tij, (që s’mund ta quaj as komuniste, as talebane, por “salibane”, propagandën “salibane”), tek lehtësimi i pandalshëm i barrës fiskale të qytetarëve, tek ulja e pandalshme e taksave.
Ky është në fakt edhe abuzimi më i madh me të vërtetën, kjo është në fakt edhe e pavërteta më e madhe e shoqërisë shqiptare, sepse është e pavërtetë që një mësues sot paguan më pak taksa se sa pesë vjet më parë; është e pavërtetë se një mjek sot paguan më pak taksa se pesë vjet më parë; është e pavërtetë që një nënpunës sot paguan më pak taksa se pesë vjet më parë; është e pavërtetë se një biznes i vogël dhe i mesëm sot paguan më pak taksa se pesë vjet më parë. Ka vetëm një pjesë, një pjesë të vogël të shoqërisë sonë që paguan më pak taksa se pesë vjet më parë dhe kjo është pjesa më e pasur e shoqërisë, kjo është pjesa më kamur e shoqërisë dhe pjesa që i ka fitimet më të garantuara. Këta janë milionerët dhe miliarderët e këtij vendi, që përfitojnë nga ajo taksa e sheshtë, ndërkohë që taksa e sheshtë ka goditur çdo pjesë të jetës së shoqërisë, ka goditur çdo familje shqiptare, ka goditur çdo biznes të vogël e të mesëm, ka goditur çdo njeri që jeton me punë të ndershme dhe që i jep këtij vendi kontribute nga puna e vet e ndershme.
Kjo është e vërteta dhe kjo është edhe e pavërteta e madhe e propagandës talebane, e cila e ka marrë Shqipërinë peng, me gënjeshtra të përditshme dhe ndërkohë me bëma të përditshme, në dëm të Shqipërisë dhe shqiptarëve, të cilat u mishëruan si asnjëherë më keq dhe si asnjëherë më qartë nga refuzimi i Bashkimit Evropian, për të pranuar aplikimin e qeverisë shqiptare dhe për t’i dhënë Shqipërisë statusin e kandidatit për Bashkimin Evropian.
Ndërkohë që një ditë më parë, Bashkimi Evropian u hapi shqiptarëve rrugën e lëvizjes së lirë, një ditë më vonë i përplasi derën në fytyrë qeverisë shqiptare, duke e kthyer këtë rast, në të parin rast në historinë e integrimit evropian, që një vendi i refuzohet statusi i kandidatit. Dhe, kjo ka vetëm një arsye, dështimi i Sali Berishës!
Sali Berisha ka dështuar dhe kërkon me çdo kusht dhe çdo mjet që dështimin e tij ta mbulojë me një propagandë të shfrenuar dhe me festa të pamoralshme, ndërkohë që në vend varfëria, papunësia dhe mungesa e shpresës janë kthyer në arsyet e dëshpërimit të përditshëm social që shkon në rritje, ndërkohë që vendi nuk arrin dot të përballojë asnjë përmbytje, ndërkohë që vendi nuk arrin dot të përballojë asnjë situatë emergjente, ndërkohë që vendi nuk arrin dot të përballojë asnjë nga sfidat e mëdha që kemi përpara, për shkak të kësaj politike të vjetër, së cilës ne sot i kundërvihemi me zërin e arsyes dhe ndaj së cilës ne kemi një alternativë, një alternativë zhvillimi dhe shprese, një model të ri qeverisjeje, transparencë, drejtësi dhe një zhvillim ekonomik që e ka bazën e vet tek punësimi dhe jo tek korrupsioni.
Motra dhe vëllezër!
Është momenti për të qenë të gjithë të qartë dhe të një mendjeje, se me Sali Berishën dhe me këtë qeveri votash të vjedhura kutish të mbyllura dhe krimi e korrupsioni në rritje, ne nuk kemi të ardhme, Shqipëria nuk ka të ardhme dhe askush që kërkon të jetojë në këtë vend dhe ta jetojë jetën e vet në këtë vend me punë të ndershme, nuk ka të ardhme.
Të gjitha bizneseve, të cilave Sali Berisha u drejtohet si njeriu që po i çliron nga detyrimi i pagesës së kasave fiskale, ne u themi se kjo është e pavërtetë, se ato para që Sali Berisha u thotë se do i marrë nga taksat, për t’u dhënë kasat, janë para që në fakt i merr nga çerdhet, kopshtet, shkollat, i merr nga parqet e pemët, i merr nga rrugët dhe nga të gjitha shërbimet e qytetit.
Ju nuk doni që Tirana të fikë dritat, ju nuk doni që Korça, Pogradeci, Elbasani, Fieri, Patosi të fikin dritat, ju nuk doni që Tirana dhe të gjithë këto qytete të mos ujisin më parqet, ju nuk doni që të mos mirëmbajnë më çerdhet, kopshtet e shkollat.
Por, si bëhen të gjitha këto? Të gjitha këto bëhen nga kontributet tuaja, nga kontributet e atyre që bëjnë sipërmarrjen në këtë qytet dhe që një pjesë të fitimit të tyre e ndajnë më shoqërinë, si në çdo vend demokratik, si në çdo vend që zhvillohet përmes kontributeve.
Taksat nuk janë e keqja e një vendi, taksat janë investimi ynë i përbashkët për vendin tonë të përbashkët dhe jo më shumë taksa për ata që kanë më pak, dhe më pak taksa për ata që fitojnë më shumë; dhe jo më shumë taksa për biznesmenët e vegjël që mezi i mbledhin në muaj dhe më pak taksa për ata që janë në të njëjtën kohë, edhe të garantuar me shtatë breza.
Kjo është filozofia jonë dhe ne duam që sëbashku të hapim një rrugë të re, duke shpërndarë në mënyrë të drejtë barrën fiskale në këtë vend dhe duke bërë që të gjithë të paguajnë për atë që marrin dhe jo të paguajë më shumë ai që merr më pak dhe të paguajë më pak ai që merr më shumë.
Ne, në të njëjtën kohë, jemi të shqetësuar edhe për një masë tjetër, 18 përqind e grantit të pakushtëzuar kushtëzohet në mënyrë antikushtetuese, në mënyrë antidemokratike, në mënyrë antieuropiane nga Sali Berisha, kushtëzohet për të hedhur në rrugë ata që punojnë në shërbimet e pastrimit, në shërbimet e gjelbërimit, të ndriçimit, në të gjitha shërbimet komunale, ata që rrinë në zyrat e bashkive dhe komunave për t’u shërbyer qytetarëve, për t’i marrë peng bashkitë dhe komunat e opozitës, për t’i kthyer në robër, përpara se të fillojë beteja për pushtetin vendor, në majin e ardhshëm.
Ky është qëllimi dhe ky është shkatërrimi i pritshëm i gjithë asaj që kemi ndërtuar sëbashku, sëbashku me të gjithë nënpunësit dhe punëtorët e bashkive, sëbashku me të gjithë qytetarët që me kontributet e tyre kanë bërë të mundur që Tirana sot, të jetë një qytet europian, që Korça Elbasani Fieri Durrësi, të jenë qytete evopiane, që të gjitha bashkitë dhe komunat tona të qeverisen me një frymë dhe një model evropian.
Ne nuk do ta tradhëtojmë modelin tonë, ne do ta mbrojmë atë duke filluar që sot e më tutje me protesta të pandalshme, duke i bashkuar protestat qytetare për largimin e qeverisë së Sali Berishës, me protestën e komuniteteve, për të mbrojtur modelet tona të zhvillimit, për të mbrojtur kontributet e qytetarëve, për të mos lejuar që me taksat e tyre, të pasurohet Sali Berisha dhe oborri i tij dhe të varfërohen qytetet e komunitetet, për të mos lejuar që me taksat e tyre, një grusht njerëzish të mbajnë pushtetin e votave të vjedhura, me vota të blera dhe një popull i tërë, të ndihet i huaj në atdheun e tij.
*Fjala e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, gjatë protestës para Kuvendit të Shqipërisë nga Shoqata për Autonomi Vendore