English

Tahiri, Berishës: Flet për lëvizjen e lirë, kur 4 fëmijë vdiqën nën dritën e qiririt

Tiranë, 11 nëntor, NOA – Ngjarja tragjike e ndodhur sot në fshatin Sukth ku u gjetën të vdekur në banesën e tyre, katër fëmijë, ka qenë kryefjala e ligjëratës së deputetit të Partisë Socialiste, Saimir Tahiri në parlament.

Nga foltorja e parlamentit, deputeti socialist, Saimir Tahiri i lëshoi një apel kryeministrit Berisha që të ketë turp që mburret për lëvizjen e lirë të qytetarëve, ndërsa sot kanë vdekur katër fëmijë, në kërkim të dritës së qiririt.

“Në këtë vend nuk ka liri për qytetarët, të lirë janë vetëm pushtetarët”, theksoi Tahiri duke bërë me dije se kryeministri i vendit kurrë nuk ka folur për dinjitetin njerëzor aq më pak ka bërë për mirëqënien e qytetarëve të vendit të tij.

Ngjarja tragjike u mësua në orët e para të mëngjesit në familjen Xheka, ku kanë gjetur vdekjen përkatësisht fëmijët Robert Xheka, 13 vjeç; Vilson Xheka, 11 vjeç; Kasandra Xheka, 9 vjeçe dhe Nertila Xheka, 6 vjeçe.

Shkaku i vdekjes së këtyre fëmijëve është asfiksia nga gazrat e shkaktuar nga një zjarr i rënë në një nga qoshet e dhomës ku ata ndodheshin, që deri tani vatra e zjarrit mendohet të jetë një qiri i ndezur për ndriçim si rezultat i mungesës së energjisë elektrike.

Po ashtu thirrje për respekt ndaj dinjitetit njerëzor dhe heshtjes për humbjen e jetës së nëntë qytetarëve dhe plagosjen e 41 të tjerëve në aksidentin e ndodhur në rrugën Ballsh-Tepelenë, dy ditë më parë, apeloi edhe kryetari i Grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, i cili kërkoi të mbahej një minutë heshtje për viktimat e autobusit të rrëzuar të linjës Tiranë-Athinë.

mit/NOA

KOMENTE