Tiranë, 12 Nëntor, NOA – Partia e Ballit Kombëtar Demokrat përshëndet vendimin e BE për liberalizimin e vizave me Shqipërinë, si dhe punën e qeverisë së koalicionit të djathtë që duke përmbushur reformat e nevojshme që çuan te ky vendim.
“y vendim është një sukses, i pa diskutueshëm, për shqiptarët dhe qeverinë, por, e parë në plan historik, ne vërejmë me dhimbje që për shkak të komunizmit na u deshën rreth 60 vjet për të mbërritur, në lidhje me lëvizjen e lirë të shqiptarëve në kontinent, aty ku ishim para Luftës së Dytë Botërore”, thuhet në këtë deklaratë.
Duke shtuar se është e dhimbshme kur mendojmë se komunizmi shqiptar persekutoi pikërisht ata personalitete, shkatërroi ato vizione politike, që do të na kishin bërë pjesë të Bashkimit Europian që në nisje të tij.
“Ne i jemi mirënjohës Mid’hat Frashërit dhe gjithë bashkëpunëtorëve të tij që u ndeshën me komunizmin. Ne jemi krenarë që jemi trashëgimtarët e tyre politikë. Ne do të punojmë jo vetëm të lartësojmë, me të drejtë, emrin e tyre, por do të zbatojmë me përpikëri vizionin e tyre politik”, përfundon deklarata.
Duke mos harruar të citojë ndër të tjera se “do të ishte në nderin e qeverisë, që me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë, ajo të ndihmojë për kthimin në atdhe të eshtrave të Mid’hat Frashërit, kryetari i kongresit të Manastirit, firmëtarit të pavarësisë, ministrit të qeverisë së parë, ideologut të nacionalizmit shqiptar, figurës simbol të lëvizjes antikomuniste në Shqipëri gjatë Luftës dhe në mërgim, politikanin vizionar që ka dhënë këshilla të vlefshme jo vetëm për shqiptarët, por dhe evropianët”.
“PBKD propozon gjithashtu që busti i Mid’hat Frashërit të ngrihet përkrah babait dhe dy xhaxhallarëve të tij, në Tiranë. Prania e tij në krah të tyre, do ta plotësonte familjen themeluese të kombit shqiptar”, përfundon deklarata.
n.e/NOA