Tiranë, 12 nëntor, NOA – Punonjësit e Bashkisë së Tiranës kanë protestuar edhe sot ndaj vendimit të qeverisë për taksat dhe pagimin e kostove të kasave fiskale për biznesin nga ana e pushtetit vendor.
Drejtuesit e Bashkisë më të madhe në vend kanë deklaruar se kjo është protesta e radhës dhe se nuk do të ketë ndalje përballë cenimit të autonomisë vendore. Sipas tyre vendimi i qeverisë “shkurton ndjeshëm buxhetet e qeverisjes vendore si dhe cenon njëkohësisht punonjësit e bashkive, pasi rrezikon vendet e tyre të punës”.
Nga ana tjetër drejtuesit e Bashkisë së Tiranës kanë argumentuar se me shkurtimin e fondeve do të kenë më pak mundësi për të bërë investime në punët publike dhe në përmirësimin e jetesës së qytetarëve.
“Vendimi, në radhë të parë do të ndikojë ndjeshëm në cilësinë e jetës së qytetarëve, pasi më pak fonde për bashkitë, do të thotë më pak hapësira të gjelbra, më pak rrugë të shtruara, më pak ndriçim publik....gjithçka pothuajse e përgjysmuar”, thuhet në njoftimin zyrtar të Bashkisë së Tiranës në lidhje me protestën.
Dje në Tiranë, përballë Kuvendit protestuan edhe anëtarët e Shoqatës për Autonominë Vendore.
Drejtuesit e saj kanë deklaruar se nëse miratohet ky projekt-ligj, do të rrënojë buxhetet e bashkive dhe komunave, duke u shkaktuar atyre rreth 90% humbje në të ardhurat e veta.
Në disa bashki humbjet në buxhetin vendor do të arrijnë deri në 140%.
“Nisur nga të gjithë këto arsye, protestat vendore do të jenë të pandalshme, për të ngritur me forcë zërin në mbrojtje të investimeve të përbashkëta, në mbrojtje të kontributeve të komunitetit dhe të shërbimeve që pushteti vendor u ofron qytetarëve, pra gjithçka në funksion të zhvillimit të qyteteve në vend”, deklaruan sot drejtuesit e Bashkisë së Tiranës.
a.k/.NOA